Edhe një OJQ sfidon shtetin për qasje në dokumente publike

Edhe një OJQ sfidon shtetin për qasje në dokumente publike

Prishtinë, 07.03.2018 – Gjykata Themelore e Prishtinës e ka aprovuar padinë e Lëvizjes FOL në lidhje me qasjen në kontratën e ndërtimit të autostradës “Ibrahim Rugova”. Në bazë të këtij aktgjykimi, Ministria e Infrastrukturës detyrohet që brenda afatit prej tridhjetë ditësh t’i lejoj qasje Lëvizjes FOL në dosjen e tenderit dhe kopjen e kontratës së ndërtimit të autostradës ‘Ibrahim Rugova”.

Gjykata këtë vendim e ka marrë pasi që Lëvizja FOL me datë 28.09.2010 kishte ushtruar padi ndaj Ministrisë së Infrastrukturës e cila nuk i kishte ofruar qasje në dosjen e tenderit si dhe kopjen e kontratës së ndërtimit të autostradës “Ibrahim Rugova”.

Gjykata në aktgjykimin e saj, ka bërë të ditur se ky vendim është bazuar në ligjin 41 të Kushtetutës dhe ligjin 2003/12 për Qasje në Dokumente Zyrtare.

Pas shpalljes se aktgjykimit, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj u prononcua për media, duke bërë të ditur se ministria që ai drejton do të respektojë çdo vendim të gjykatave. “Ne jemi këtu si institucione të Kosovës që të respektojmë çdo vendim të gjykatave, nuk kam ndonjë koment tjetër”, citohet të ketë thënë ministri Lekaj, raporton Kosova Press.

Ky është rasti i katërt me radhë që gjykata vendos në favor të kërkesës së medieve dhe shoqërisë civile për qasje në dokumentet publike.

Në tetor të vitit 2015, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) kishte fituar një betejë ligjore me Zyrën e Kryeministrit, ku pas ushtrimit të padisë më 2012, gjykata kishte detyruar zyrën e kryeministrit që t’i zbuloj shpenzimet e udhëtimeve jashtë shtetit të kryeministrit të atëhershëm, Hashim Thaçi, dhe pesë zëvendes kryeministrave.

Përkundër vendimit të gjykatës për qasje në këto shpenzime, zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës ka vazhduar të refuzoj BIRN-in në disa kërkesa të bëra nga këta të fundit.

BIRN ka vazhduar me rrugë tjera ligjore dhe rasti tani është me përmbarues privat. Zyra e Kryeministrit edhe njëherë refuzon ekzekutimin e vendimit të gjykatës, dhe janë nisur procedurat për ndjekje ligjore kundër zyrtarëve përgjegjës për zbatimin e aktgjykimit.

“Gjithashtu kemi dorëzuar edhe kallxim penal në prokurorinë e Prishtinës me pretendimin që zyra e Kryeministrit po e keqpërdorë detyrën zyrtare me moszbatimin e aktgjykimit”, tha Kreshnik Gashi, redaktor në Kallxo.com.

Ndërsa, në rastin e dytë Gjykata Themelore në Prishtinë kishte vendosur në favor edhe në një padi tjetër të BIRN-it, me ç’rast e kishte detyruar Këshillin Prokurorial t’i shpalosë dokumentet që lidhen me masat disiplinore për shkelje të supozuara nga ana e prokurorëve.

Gjithashtu në janar të këtij viti, Gjykata Themelore e Prishtinës e kishte aprovuar si të bazuar padinë e Institutit GAP, ku kishte konstatuar se Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe KEK kanë shkelur nenin 41 të Kushtetutës dhe Ligjin për qasje në dokumente publike. Ministria nuk ka lejuar qasje në asetet e privatizimit të KEDS dhe në dokumentet tenderuese për termocentralin “Kosova e Re”.

Në janar 2017, ministri i zhvillimit ekonomik, Valdrin Lluka i bëri publike dokumentet tenderuese dhe kontratën ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë amerikane Contour Global, e lidhur në dhjetor 2017, për ndërtimin e termocentralit të ri në Kosovë.