Raporti i Progresit: Zero tolerancë për kërcënimet ndaj medieve

Raporti i Progresit: Zero tolerancë për kërcënimet ndaj medieve

PRISHTINË, 20.04.2018 – Në Raportin e Progresit 2018 për Kosovën të Komisionit Evropian është përsëritur rekomandimi që rastet e kërcënimeve dhe sulmeve fizike ndaj gazetarëve të hetohen menjëherë dhe të gjykohen ata që sulmojnë.

Raporti i progresit ka përsëritur edhe disa rekomandime tjera të nxjerra në raportin e fundit të saj për Kosovën duke nënvizuar nevojën për zgjidhje të qëndrueshmë financiare për transmetuesin publik dhe krijim të mekanizmave që do të ofrojnë informata transparente në lidhje me pronësinë nëpër media.

Raporti thekson se autoritetet vendore duhen të jenë më efikase në ndjekje të atyre që kërcënojnë por edhe sulmojnë fizikisht gazetarët.

“Një përgjigje më sistematike, duke përfshirë hetime të menjëhershme dhe një gjykim me kohë, është e nevojshme për të forcuar mbrojtjen e gazetarëve. Duhet të jetë tolerancë zero për kërcënimet apo sulmet ndaj medieve,” thuhet në raport.

Sipas këtij raporti, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka qenë aktiv ndaj rasteve të incidenteve dhe sulmeve ndaj gazetarëve duke trajtuar rastet falë ngritjes së bashkëpunimit me Policinë dhe Prokurorinë e Kosovës.

Numri i kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve është ngritur.

“Sipas AGK-së në vitin 2017 janë raportuar 24 incidente, 2 herë më shumë krahasuar me periudhën e mëparshme të raportimit. Ndër rastet e sulmeve, 2 redaktorë kanë marrë kërcënime me vdekje dhe një gazetar është sulmuar i cili më vonë është kërcënuar nga një anëtarë i parlamentit”, thuhet në raport.

Zbatimi efikas i legjislacionit mbetet një sfidë për vendin dhe merret si shembull mungesa e ligjit për Radiotelevizionin e Kosovës, dhe mbetet jo e kënaqshme përpjekja e kuvendit për gjetjen e zgjidhjes së financimit të qëndrueshëm për trasmetuesin publik.

Sa i përket kornizës ligjore për fushën e lirisë së shprehjes dhe medieve në përgjithësi, të gjeturat e raportit tregojnë se nuk ka ndonjë zhvillim në këtë fushë.

Raporti thekson se sfidë po mbetet liria e shprehjes onlinë e të cilën nuk e monitoron as Komisioni i Pavarur për Media dhe as Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës. “Megjithatë kjo krijon një ambient të papenguar për mediat online, dhe po ashtu minojnë privatësinë e individëve, duke shkuar në shumë raste të pretenduara të gjuhës së urrejtjes, shpifjes dhe fyerjes.

Raporti nuk la pa nënvizuar edhe sfidat me të cilat gazetarët ballafaqohen siç është mungesa e kontratave të punës. Mediat në përgjithësi nuk janë ekonomikisht të qëndrueshme. “Mungesa e një industrie të fortë e private të reklamave i bënë transmetuesit privat të varur në burime tjera të fondeve, dhe janë disa që mund të operojnë pa lidhje të forta politike dhe grupe biznesore të interesit,” thuhet në raport.

Sa i përket kornizës ligjore për fushën e lirisë së shprehjes dhe medieve në përgjithësi, të gjeturat e raportit tregojnë se nuk ka ndonjë zhvillim në këtë fushë. Ndërkaq mbetet jo e kënaqshme përpjekja e kuvendit për gjetjen e zgjidhjes së financimit të qëndrueshëm për trasmetuesin publik, Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

Përkundër progresit të shënuar raporti thekson se duhet të investohet edhe më shumë në këtë fushë.

“Policia, prokurorët dhe gjyqtarët kanë nevojë për trajnim të duhur në standardet e vendosura nga Këshilli i Evropës dhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut për trajtimin e burimeve dhe materialeve gazetareske”, nënvizohet në raport.