PRISHTINË, 04.06.2018 – Gjykata Themelore e Prishtinës e ka hedhur poshtë padinë e Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe ish-drejtorit të saj, Hasan Preteni për shpifje dhe fyerje të ushtruar kundrejt organizatës jo-qeveritare “Çohu”.
Padia e Pretenit, respektivisht e Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK) është hedhur si e pa bazuar nga ana e gjykatës me arsyetimin se nga provat e administruara gjykata nuk ka arritur të gjejë elemente të shpifjes dhe fyerjes siç pretendonte Agjencia Kundër Korrupsion dhe ish-drejtori i saj, Hasan Preteni si zyrtar publik.
Kjo lëndë e kontestit juridiko-civil e cila gjendet në sirtarët e Gjykatës Themelore të Prishtinës që nga vitit 2012, ka arritur të marrë një verdikt final juridik vetëm pas gjashtë vitesh, duke bërë kështu që padia e parashtruar nga Preteni më 16 shkurt 2012, të hedhet si e palejuar nga ana e gjyqtares së rastit, Mevlide Kasumi Qarri.
Hasan Preteni, në cilësinë e zyrtarit shtetëror si drejtor i AKK-së kishte pretenduar se organizata “Çohu”, në një konferencë për medie ka shpifur ndaj tij si person zyrtar duke thënë se “Hasan Preteni në cilësinë e drejtorit të Agjencisë Kundër Korrupsionit ka mbrojtur shtatë deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës të cilët e kanë shkelur ligjin për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të zyrtarëve të lartë publik. Ka bërë ndërhyrje dhe ka falsifikuar formularët për deklarimin e pasurisë të paraqitur në AKK nga zyrtarët e lartë publik”, sipas gjykatës, këto pretendime nuk janë të bazuara ngase një deklaratë e tillë paditësit Hasan Preteni i referohet si Drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit.
Gjithnjë sipas aktgjykimit, ”paditësi Hasan Preteni, nuk ka arritur me asnjë provë ta argumentoj faktin qenësor se të paditurit përmes deklaratave të tyre kanë cenuar personalitetin e tij ngase të gjitha provat i referohen paditësit si përfaqësues i institucionit, në rastin konkret në cilësinë e Drejtorit të Agjencisë Kundër Korrupsionit”, thuhet ndër tjera në aktgjykim.
Gjykata këtë vendim e ka marrur duke u mbështetur në dispozitat ligjore të Ligjit Civil kundër Shpifjes dhe Fyerjes, dispozitë kjo e cila nuk parashikon mundësinë e bartësve të funksioneve publike të padisin në cilësinë e tyre zyrtare, që do të thotë se përfaqësuesit e institucioneve nuk janë të mbrojtur më ligj.
Sipas kësaj dispozite, përfaqësuesi i institucionit mund të kërkoj mbrojtje juridike si individ, por nuk mund të padisë në cilësinë e tij zyrtar. Prandaj, në rastin konkret, gjykata ka konstatuar se paditësi Hasan Preteni, nuk ka arritur të argumentoj me asnjë provë se deklaratat e të paditurve, në këtë rast organizatës “Çohu”, kanë të bëjnë me shpifje kundër tij si individ.
Preteni, i cili në cilësinë e Drejtorit të Agjencisë Kundër Korrupsionit, pretendonte se qëndrimet e organizatës “Çohu”, kanë prodhuar pasoja për personalitetin e tij, me ç’rast kishte kërkuar dëmshpërblim nga organizata “Çohu”, në vlerë prej 100 mijë euro, si dhe pagimin e të gjitha shpenzimeve procedurale gjyqësore.
Mirëpo, në vendimin e datës 10 maj 2018, gjykata përveç që e ka hedhur poshtë padinë e Pretenit, ajo e ka obliguar atë t’ia kompensoj organizatës “Çohu”, të gjitha shpenzimet e kësaj procedure kontestimore në vlerë prej 1,393.60 euro.
Kujtojmë se Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka monitoruar dhe raportuar në vazhdimësi në lidhje më këtë çështje gjyqësore e cila ndërlidhet drejtpërsëdrejti më lirinë e shprehjes në vendin tonë.
AGK inkurajon të gjitha mediet, gazetarët dhe OJQ-të e ndryshme të cilat ndodhen në çfarëdo kontesti gjyqësor ta lajmërojnë AGK-në, në mënyrë që kjo organizatë t’i përcjellë nga afër seancat gjyqësore që kanë të bëjnë me të drejtën e lirisë së shprehjes në vendin tonë.
Konsiderojmë se monitorimi dhe raportimi i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës nga këto seanca, përveç që ndikon në rritjen e transparencës së gjyqësorit, pashmangshëm ky monitorim i bënë ata edhe me të përgjegjshëm në trajtimin e këtyre rasteve.