PRISHTINË, 20.06.2018 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kundërshton mbylljen e komisionit parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media ku po shqyrtohej projektligji dhe skema e financimit për Radio Televizionin e Kosovës (RTK) pa dhënë ndonjë arsyetim në lidhje me shkaqet e mbylljes së kësaj mbledhjeje.
Të vetëdijshëm se rregullorja e punës së Kuvendit, përkatësisht neni 65 i dispozitave plotësuese të Komisioneve të Kuvendit, parasheh mbylljen e komisioneve në raste të caktuara, mirëpo diskutimi i sotëm me dyer të mbyllura për projektligjin e RTK-së, konsiderojmë se nuk ka pasur kurrfarë arsye të zhvillohet pa prezencën e medieve dhe publikut, duke e ditur kështu rëndësinë e veçantë të cilin e ka përmbajtja e këtij projektligji për qytetarët e vendit.
AGK konsideron se një praktikë e tillë nuk i shërben transparencës së punës së Kuvendit të Kosovës dhe njëkohësisht përbën cenim të së drejtës qytetare për t’u informuar.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i bënë thirrje komisionit parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, përkatësisht kryetarit të këtij komisioni , Nait Hasani, të tregojnë shembull të mirë të llogaridhënies dhe transparencës në mënyrë që mbledhjet e tilla, si kjo e sotmja për projektligjin e RTK-së, të jenë të qasshme për mediet dhe publikun.