PRISHTINË 15.10.2018 – Ekipi i Agjencive të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT) në bashkëpunim me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK) kanë mbajtur ceremoninë e 13-të ndarjes së çmimeve për arritjet më të mira në gazetari për temën e varfërisë 2018.
– Çmimin për Video-storien e shkurtër më të mirë për vitin 2018 e ka fituar gazetarja, Merita Neziri, nga mediumi “Klan Kosova” me storien “Policia shpëton tre fëmijë në Gjilan”.
– Çmimin për Dokumentarin më të mirë televiziv e ka fituar gazetarja Kaltrina Rexhepi – Dragusha, nga mediumi “RTK” me dokumentarin “Fëmija Nënë”.
– Çmimin për Audio-storien më të mirë e ka fituar gazetarja, Majlinda Doda, nga mediumi “Radio Kosova” me audio storien “Migrimi dhe varfëria”.
– Çmimin për Storien e shkruar më të mirë e kanë fituar gazetaret, Besa Kalaja dhe Leonida Molliqaj nga Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese “Preportr” me tregimin “Mos u plaksh”.
– Si dhe çmimin për Fotografinë më të mirë e ka fituar fotografi, Jeton Sopa, nga mediumi “Indeksonline”.
Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve mbi varfërinë kanë marrë pjesë edhe Koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson si dhe kryetarja e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli – Pustina.
Në fjalën e saj Koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson, ka thënë se varfëria është një nga sfidat më të mëdha dhe se njerëzit që jetojnë në varfëri janë të margjinalizuar dhe vetëm mediet dhe gazetarët janë zëri i njerëzve që jetojnë në varfëri.
“E shohim gjithandej që njerëzit e varfër janë të margjinalizuar, nuk kanë qasje në kujdesin shëndetësor, në sistemin arsimor, nuk kanë qasje në punësim, kanë mungesë të informacionit, dijes, etj. Gazetarët e luajnë një rol të rëndësishëm këtu, sepse, varfëria ka të bëjë me të drejtat e njeriut. Prandaj, gazetaria dhe media janë përmbajtja e demokracisë, mediet dhe gazetarët janë zëri i njerëzve që jetojnë në varfëri”, ka thënë Richardson.
Ajo ka falënderuar AGK-në, për bashkëpunimin dhe traditën e krijuar ndër vite në ndarjen e çmimeve për arritjet më të mira në gazetari për temën e varfërisë.
Ndërsa Kryetarja e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli – Pustina, duke folur për varfërinë si një problem sistematik për vendin tonë, ka vënë në pah edhe problemet sociale me të cilat ballafaqohen gazetarët çdo ditë në vendet e punës.
“Kur flasim për varfërinë dhe sfidat që ajo ngërthen në vete, nuk mund të mos i kujtojmë problemet me të cilat ballafaqohen gazetarët çdo ditë në punë, ku një numër jo i vogël i tyre në raste të caktuara nuk posedojnë kontrata të punës si dhe ballafaqohen me kushte jo të mira materiale”Mirëpo, edhe përkundër këtyre vështirësive, gazetarët vazhdojnë të jenë kujdestarë të theksimit të nevojave kritike të shoqërisë tonë, duke bërë kështu që nëpërmjet punës së tyre të paraqitet gjendja e rëndë ekonomike – sociale e individëve dhe familjeve kosovare”, ka thënë ndër tjerash kryetarja e AGK-së.
Në fund, si pjesë e ngjarjes ishte edhe paraqitja në stilin TED talk i, Eoghan Sweeney nga First Draft që është një OJQ e bazuar në Qendrën Shorenstein të Universitetit Harvard, i cili, foli lidhur temën: “Keqinformimi dhe dezinformimi: rreziqet me të cilat ballafaqohen mediet”.