PRISHTINË, 01.11.2018 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka marr pjesë në diskutimin publik në lidhje me hartimin e projekt-rregullores për shërbimet e komunikimit qeveritar me publikun, të organizuar nga Zyra për Komunikim Publik në Zyrën e Kryeministrit (ZKM).
Gjatë këtij diskutimi, kryetarja e AGK-së Gentiana Begolli – Pustina, paraqiti komentet dhe qëndrimet e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës në lidhje me këtë projekt-rregullore, në veçanti me emërimin e zëdhënësve të ministrive dhe komunave, ku me anë të kësaj draft-rregullore parashihet që njëri nga këshilltarët politik të ministrit apo kryetarit të komunës, të emërohet në pozitën e zëdhënësit të ministrisë apo komunës përkatëse.
Kryetarja e AGK-së, theksoi se bartja e kompetencave tek individët politik për të komunikuar me publikun në emër të një institucioni mund ta politizojë dhe centralizojë dhënien e informacionit.
“Nëse komunikimi me publikun lihet në vullnetin politik të një ministri apo këshilltari politik ka një rrezik të madh që komplet ministria t’i përfaqësojë interesat politike dhe interesat e subjektit politik të ministrit, gjë e cila me automatizëm e vënë në dilemë vërtetësinë e informacionit, sa e paraqesin interesin publik informacionet, apo ato e paraqesin vetëm interesin e një ministri apo ministre të caktuar”, ka deklaruar kryetarja e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli – Pustina.
Po ashtu, AGK shpalosi qëndrimin e vet edhe në lidhje me qasjen e medieve në Qeverinë e Kosovës, me ç’rast u kërkua që përcaktimi i numrit të të akredituarve mos të vendoset nga Zyra për Komunikim Publik në ZKM, por numri i të akredituarve të bëhet në bashkëpunim dhe konform nevojave të mediumeve.
“Ka mediume në të cilat janë të punësuar mbi 100 gazetarë, kameramanë e fotografë, në anën tjetër ka mediume ku numri i përgjithshëm i të punësuarve, përfshi stafin administrativ nuk arrin në 20”, ka shtuar Begolli – Pustina.
Komentet e paraqitura gjatë diskutimit të sotëm për këtë projekt-rregullore, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës do t’i dorëzoj edhe me shkrim tek Zyra për Komunikim Publik në ZKM, e cila, është edhe hartuese e draft-rregullores për shërbimin e komunikimit qeveritar me publikun.