AGK reagon për përjashtimin arbitrar të dy punëtorëve nga RTV Dukagjini

AGK reagon për përjashtimin arbitrar të dy punëtorëve nga RTV Dukagjini

PRISHTINË, 17.11.2018 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shpreh shqetësim për mënyrën e largimit nga puna të dy kolegëve, Arben Rexhepi dhe Ervin Behluli, të cilët prej vitesh punonin në RTV Dukagjini.

Dy punëtorët u njoftuan për shkëputje të kontratës, përmes një emaili nga drejtori i këtij mediumi, Ermal Panduri pa arsyetime të qarta dhe pa u respektuar afatet kohore të përcaktuara me Ligjin e Punës, në rast të shkëputjes së marrëdhënies së punës.

Arben Rexhepi dhe Ervin Behluli kanë punuar prej rreth 20 vitesh në RTV Dukagjini dhe ishin pjesë e stafit themelues të kësaj medie.

AGK konsideron se mënyra e largimit të tyre nga puna është shkelje e rëndë e të drejtave të punëtorëve dhe njëkohësisht rëndon edhe më shumë ambientin në të cilin punojnë gazetarët në Kosovë.

AGK ka kërkuar pergjigje nga drejtori i RTV Dukagjinit z. Panduri rreth procedurave ligjore të ndjekura me rastin e largimit nga puna e dy punëtorëve në fjalë, mirëpo deri më tani nuk ka marrë shpjegim nga ana e tij.

AGK kërkon nga drejtuesit e RTV Dukagjini që t’i shfuqizojnë këto vendime, në mënyrë që dy punëtorët e larguar të kthehen sa më parë në vendin e tyre të punës.

Në të njejtën kohë AGK kërkon nga Inspektorati i Punës që në një afat sa më të shkurtër kohor, t’i shqyrtojë rastet në fjalë.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës do t’i përcjellë nga afër këto raste dhe do t’i njoftojë të gjithë mekanizmat vendorë e ndërkombëtarë rreth këtij veprimi, që sipas AGK-së është arbitrar dhe tërësisht i papranueshëm.

Me respekt,
Bordi i AGK-së