Sondazhi i “We are social” dhe “Hootsuite”, i prezantuar në raportin “Global Digital, 2018”, zbulon se tani ka më shumë se katër miliardë njerëz në botë që përdorin internetin dhe mbi tre miliardë njerëz në glob që i përdorin çdo muaj mediet sociale. Të dhënat e fundit tregojnë se gati një e katërta e përdoruesve të rinj, u shtuan vetëm gjatë vitit 2017. Sipas raportit, numri i përdoruesve të internetit në 2018 është 4.021 miliardë njerëz, duke u rritur 7 përqind nga viti në vit.
Nga rezultatet e prezantuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) në raportin “Anketa e përdorimit të teknologjisë informative dhe komunikimit, 2017”, në vitin 2017, 88.8 për qind e familjeve kosovare kanë pasur qasje në internet. Kjo tregon se rrjetet sociale janë bërë domosdoshmëri e kohës. Shpeshherë ato i formësojnë edhe qëndrimet tona, karshi ngjarjeve të ndryshme.
Studiuesi kanadez, Mc Luhan, ka bërë një krahasim i cili lidhet pikërisht me mënyrën se si mjetet e komunikimit masiv, po ndikojnë tek ne. “Sikurse uji që është domosdoshmëri për peshkun, ashtu po bëhet edhe komunikimi masiv për njeriun. Këtë ndikim të medieve te njeriu e kuptojmë vetëm kur mbesim pa këto mjete, ashtu sikur peshku e kupton që është i lagur vetëm nëse mbetet pa ujë.”, thotë Mc Luhan.
Por, përveç lehësirave, ky zhvillim i hovshëm i teknologjisë dhe përdorimi gjithnjë e më i madh i rrjeteve sociale, ka edhe anët e veta negative në raport me punën e gazetarëve dhe informimin në përgjithësi.
“Politika e facebook-ut”
Të ashtuquajturat “media sociale”, janë bërë një prirje e re edhe e politikës.
Viteve të fundit, e sidomos vitin që po e lëmë pas, shumica e krerëve shtetërorë, kanë zgjedhur rrjetet sociale, më saktësisht facebook-un, si mjet komunikimi me publikun, por edhe me mediet, duke shkëputur kështu në masë të madhe komunikimin e drejtpërdrejtë me gazetarë. Kjo e ka vështirësuar punën e gazetarëve, sidomos në balancimin e lajmit.
Dardane Neziri, gazetare në “Koha Ditore”, thotë se deklarimi i krerëve shtetërorë përmes rrjeteve sociale e kufizon punën e gazetarëve.
“Deklarimi i zyrtarëve shtetërorë për çështje të caktuara përmes rrjeteve sociale, pamundëson dhe kufizon punën e gazetarëve për të marrë informacionet e plota rreth një çështje të caktuar. Dhe jo vetëm të gazetarëve, por pamundëson edhe publikun që të jetë i informuar mjaftueshëm. Këta zyrtarë kur deklarohen për një çështje janë të kufizuar të flasin vetëm aq sa iu konvenon atyre.”, është shprehur Neziri.
Edhe Qëndresa Fazliu, redaktore në Gazetën “Blic”, thotë se rrjetet sociale janë ikje e përgjegjësisë së krerëve shtetërorë, duke eliminuar pyetjet e gazetarëve, e duke e vështirësuar raportimin e përditshëm.
“Krerët shtetërorë të cilët kanë për obligim dhënien e përgjegjësisë për veprimet e tyre publike, para popullit, e përmes medieve, kanë gjetur një mënyrë të ikjes nga kjo përgjegjësi. Kjo duke eliminuar pyetjet direkte të gazetarëve, rrjedhimisht konferencat për shtyp. Viti i kaluar dhe ky që po e mbyllim tani, karakterizohet më së shumti për politikë të facbook-ut nga udhëheqësit institucionalë. Kjo ia vështirëson jashtëzakonisht punën gazetarit, i cili ose detyrohet ta bëjë lajmin ashtu sic e ka shitur lideri, ose të kalojë një kohë të gjatë duke bërë përpjekje për ta balansuar lajmin, duke kërkuar anën tjetër të lajmit nga burime tjera.”, ka thënë Fazliu.
Politikanët po shmangin pyetjet dhe komunikimin e drejtpërdrejtë me gazetarët!
Plasimi dhe shpërndarja e informacionit përmes mundësive që ofrojnë mediet sociale, sipas profesoreshës së gazetarisë online Ilire Zajmi-Rugova, mundëson moblizimin e një audience më të gjerë në forma e mënyrë të reja.
“Ky komunikim i politikanëve përmes mediave sociale, duke anashkaluar format standarde të përhapjes së informacionit si konferenca për shtyp, komunikata, eviton kontaktin e drejtpërdrejt me gazetarin. Kështu politikani direkt kontakton me audiencë në mediat sociale, pa u “djersitur” nga ndonjë pyetje e gazetarit. Informacioni i servuar “në pjatë” nga politikani është formë më e lehtë e komunikimit. Sepse politikani e “vlerëson” çka është lajm e çka jo. Detyrë e gazetarit mbetet gjithëmonë, së pari vërtetësia e postimit të informacionit në profilin e politikanit. Së dyti, vërtetimi i llogarisë në rrjetet sociale. Dhe së treti, para se të citohet lajmi i marrë nga mediat sociale, të bëhet përpjekje të merret ndonjë konfirmim përmes telefonit, emailit apo formave tjera të komunikimit.”, thotë Zajmi-Rugova.
Profesori i komunikimit dhe gazetari shumë vjecar, Halil Matoshi, aktualisht këshilltar i kryeministrit, thotë se duhet të jemi vigjilentë në marrjen e mesazheve, sidomos nga rrjeti social facebook, sepse lajmet e rreme janë në ekspansion.
“Profilet personale në facebook, po shihen si platformë për shpërndarjen e mesazheve politike në shumë adresa mediatike, njëkohësisht dhe shpejt. Por, publiku duhet të jetë vigjilent që ta lexojë mesazhin deri në fund dhe ta shoh burimin e saktë, sepse profile të rreme dhe lajme të rreme janë në ekspansion.”, ka theksuar Matoshi.
Mediat sociale, trend i postmodernitetit!?
“Mediat sociale” kanë kthyer vëmendjen tërësisht të publikut dhe gjithë gazetarëve, me apo pa dëshirën e tyre. Miti i gazetarisë, si ndërmjetësues mes publikut , duke e çuar lart misionin e tij, është “zbehur”. Tashmë publiku, është në kontakt të drejtpërdrejt me udhëheqësit e shtetit, duke bërë që mediat dalëngadalë, ta humbin funksionin si “pushteti i katërt”.
Sociologu Fadil Maloku, thotë se komunikimi sociopolitik midis publikut të gjerë dhe politikanëve, në kohën tonë është bërë një lloj trendi i postmodernitetit.
“Në rastin e rrjetëzimit social në shoqërinë kosovare, ky trend do shtoja, akoma (më shumë po imponohet si “produkt” i një imitimi të verbër social, se sa i ndonjë fasciliteti të ri politik!) nuk e ka arritë nivelin e ndërkomunikimit masiv. Që nënkupton, se politikanët tanë akoma s’e kanë të qartë komunikimin përmes medieve (rrjeteve) sociale. E në veçanti atij të facebookut, prej nga zakonisht bëhen alternimet dhe pozicionimet pro et contra; ngarjeve, dukurive apo edhe pononcimeve politike. Sepse, duke e pamundësuar feedback-un gazetaresk, ata faktikisht publikun e gjerë e privojnë nga “sharmi, joshja” dhe gjykimi e qëndrimi spontan. Që realisht e tëhuajsojnē si politikanin, ashtu edhe qëndrimin dhe gjykimin e tij, përmes kësaj mënyre komunkimi.”, vlerëson Maloku.
E ardhmja e raportimit në këtë frymë, do të jetë problematike jo vetëm për mediet në Kosovë, por edhe për mediet më të fuqishme ndërkombëtare.
Gazetare: Vlora Azemi
Ky artikull është prodhim i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës në kuadër të projektit “Platforma Rajonale e Ballkanit Perëndimor për Avokimin e Lirisë së Mediave dhe Sigurisë së Gazetarëve”, e financuar nga Bashkimi Evropian. Përmbajtja e këtij publikimi në asnjë rrethanë nuk mund të konsiderohet që reflekton pozicionin e Bashkimit Europian.