PRISHTINË, 26.12.2018 – Përdorimi i gjuhës fyese, shantazhet, kërcënimet, përçmimet dhe dhuna fizike ndaj gazetarëve, ndikojnë në cënimin dhe rrezikimin e lirisë e shprehjes. Në vendin tonë, gazetarët vazhdojnë të jenë pre e sulmeve verbale të zyrtarëve të lartë publikë, të cilët përmes gjuhës arrogante ndaj gazetarëve, tentojnë t’i ikin përgjegjësisë publike rreth të vërtetës ose pasojave të vendimmarrjes së tyre.
Mirëpo, pavarësisht kërcënimeve dhe ofendimeve, puna e gazetarëve nuk ndalet, madje kjo vetëm se i shtynë ata të punojnë më shumë. Të njëjtit mendojnë se denoncimi i ofendimeve rrit presionin tek ata që ofendojnë dhe i vetëdijëson të mos bëjnë veprime të njëjta.
Ofendimet verbale ndaj gazetarëve dhe reagimet e tyre
Bujar Vitija, gazetar në “Gazetën Shneta” është kërcënuar dhe ofenduar nga Zenel Kuqi, zyrtar i prokurimit në QKUK, për shkak të një artikulli të publikuar në gazetë ndërsa Isber Ademaj, kirurg i fëmijëve në QKUK, e ka ofenduar gazetarin Vitija pasi e kishte telefonuar për t’ia marrë një deklaratë për rastin e vdekjes së një foshnjeje.
Vitija mendon se ofendimet bëhen për t’i zmbrapsur ose frikësuar gazetarët.
“Ofendimet ndaj një gazetari nuk janë diçka e re dhe besoj që secili prej neve përballemi në shumë raste. Por nuk është se jam ofenduar t’u e pas parasysh prej kujt më ka ardh ofendimi. Dy rastet i kam lajmëruar në AGK, ndërsa të parin edhe në Polici pasi ka qenë edhe kërcënim. Kam hezitu me ngrit padi ndaj këtyre ofendimeve për shkak të procedurave gjyqësore.”, ka thënë Vitija.
Ai u ka bërë thirrje kolegëve gazetarë që t’i denoncojnë ofendimet, në mënyrë që të rritet presioni mbi këta persona ose institucione.
Kërcënimi i përcjellë me sharje, nga kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, e ka shtyrë gazetarin e “Metros”, Shkumbin Kajtazi ta denoncojë në polici.
“Kërcënimi ndaj meje do të ishte i zakonshëm duke ditur natyrën e punës tonë, po që se ai s’do të vinte nga një kryetar komune. Duke ditur se kërcënuesi me detyrë publike ka më shumë përgjegjësi, e kam trajtuar më seriozisht. Për këtë, ky kërcënim i mveshur me sharje, më ka shtyrë ta denoncoj në Polici. Policia është marrë me rastin dhe ka shkuar për ta intervistuar kryetarin Agim Bahtiri. Policia ka ngritur kallëzim penal, ndërkaq prokuroria akoma po merret me hetime dhe nuk kam ndonjë njoftim nëse është afër ngritja e ndonjë aktakuze.”, ka thënë ai.
Kajtazi ka sqaruar rrethanat se si ka ndodhur ngjarja, e cila ka ndikuar që motra e tij, të largohet padrejtësisht nga vendi i punës.
“Një ditë të zakonshme pune, unë publikoj një artikull për një të punësuar si shefe e kabinetit. Këtë informatë e kisha të konfirmuar nga disa persona brenda kabinetit dhe njerëz të afërt të kryetarit. Bahtiri, diku rreth gjysmë ore pas artikullit, më merr në telefon dhe nis të shajë në kontekstin kërcënues. Gjuha e tij, përveç fyese, nga policia ishte konsideruar si kërcënim. Thënë të drejtën, ky kërcënim e fyerje s’më ka shqetësuar fare. Mirëpo, shqetësimi ka nisur kur me ndikimin e Bahtirit ishte larguar padrejtësisht nga puna motra ime, vetëm e vetëm se më kishte vëlla. Për këtë rast, si për të konfirmuar se u bë për hakmarrje, Inspektorati e ka kthyer në punë motrën”, ka thënë Kajtazi.
Ai ka shtuar se nuk pret shumë nga ky rast por ka theksuar se edhe para gjykatës Agim Bahtiri do të duhej të kërkonte falje për kërcënimin dhe sharjen ndaj tij dhe motrës.
Gazetarja e “Express”, Kaltrina Zymberi, vitin e kaluar është ofenduar nga kryeministri, Ramush Haradinaj. Gjatë një konference për media, Zymberi e kishte pyetur Haradinajn për qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës se nuk do ta përkrahin marrëveshje tjetër të demarkacionit, përveç asaj që është nënshkruar në vitin 2015. Pas kësaj, kryeministri i ka “sugjeruar” gazetarëve të “kryejnë shkollë dhe të lexojnë më shumë, pasi nuk po i kuptojnë gjërat”.
Ajo thotë se pas kësaj deklarate është fyer komuniteti i gazetarëve.
“Personalisht nuk jam ndier e fyer por si komunitet po. Kryeministri nuk është kryeredaktor mediesh të tregojë se çka duhet të pyesësh e çka jo. Për më shumë, pyetje të keqe nuk ka por përgjigje të keqe po.”, ka thënë Zymberi.
Sipas saj, nuk duhet ngritur padi për fyerje por kabineti i zyrtarëve duhet t’i këshillojë më shumë dhe jo t’i mbrojë shefat, si në rastin e lartcekur.
“Kërkim falja e kryeministrit ka qenë jo e menjëhershme por edhe pak injoruese. Mirë që kjo qasje ka ndryshuar me kohën dhe sot kemi kryeministrin nëse mund të them më të qasëshmin e të gjitha kohërave.”, ka përfunduar ajo.
“Ti je UDB-ash”, ka qenë ofendimi i ish-deputetit, Fatmir Shurdhaj drejtuar gazetarit të “Insajderit”, Besian Beha.
Beha është ofenduar pasi e ka pyetur Shurdhajn për aferat në rastin “Pronto”.
“Ka shpesh raste kur zyrtarët publik sillen keq dhe përdorin edhe fjalë nënçmuese dhe ofenduese. Personalisht jam fyer një herë më rëndë nga një ish-zëvendësministër dhe ish-deputet, Fatmir Shurdhaj i cili është i akuzuar në rastin “Pronto”. Tentova të kontaktoja me të dhe ta pyesja për pritshmërinë nga ky rast, para seancës së parë gjyqësore. Ai jo që nuk pranoi të përgjigjej por mu drejtua me fjalët: “ti je UDB-ash!”. Pavarësisht tentimeve që ta sqaroja çfarë po kërkoja nga ai si i akuzuar, ai vazhdoi me fjalët “e di kush t’ka shti me m’thirr”.
E drejta për të ngritur padi
Avokati Arianit Koci, thotë se liria e shprehjes nuk mund të ketë status absolut, njëjtë sikurse edhe të drejtat dhe liritë e tjera. Sipas tij, është shqetësuese kur kjo vjen nga autoritetet publike pasi që të drejtat dhe liritë cënohen vetëm nga pushteti.
“Përkundër sfidave të natyrës së ndryshme, besoj se në Kosovë ka një standard të lirisë së shprehjes, i cili duhet të avansohet dhe të promovohet. Kjo kërkon mirëmbajtje mbarëshoqërore. Andaj kjo çështje është dinamike dhe nuk duhet shiquar si një arritje matematikore. Pra, kërkon angazhim institucional dhe jashtë institucional.”, ka deklaruar Koci.
Avokati thekson se që nga viti 2008 shpifja dhe fyerja trajtohen si delikte civile, e që paraprakisht ishin trajtuar në kuptim ligjor si vepra penale, ndjekja e të cilave, bëhej me propozim të palës së dëmtuar.
“Siç e potencuam paraprakisht, për veprimet që konsistojnë në shpifje dhe fyrje, tanimë ato nuk konsiderohen vepra penale, por delikte civile ndaj të cilave mund të caktohet me vendim të gjykatës kompetente sanksioni pasuror. Pra Gjykata sipas padisë së palës e cila konsideron se ndaj saj është shpifur dhe se e njëjta është shpifur si pasojë e deklarimeve që kanë karakter publik, pala mund të kërkojë kompensim në emër të dëmit moral.”
Koci shton se legjislacioni ia mundëson çdo individi mbrojtjen e integritetit të tij personal përmes së drejtës në mjetin juridik, siç është padia civile kundër shpifjes apo fyerjes.
Ndërsa, Rrahman Paçarizi, profesor universitar dhe nënkryetar i Këshillit të Mediave të Shkruara mendon se raportet ndërmjet zyrtarëve të institucioneve dhe gazetarëve janë gjithmonë komplekse. Sipas tij, ajo që mund të konsiderohet gjuhë ofenduese ndaj gazetarëve ndodh të shumtën e rasteve pa fajin e gazetarëve.
“Jemi dëshmitarë të ofendimeve të krerëve të shtetit ndaj gazetarëve, në situata kur kryeministri apo presidenti janë zënë ngushtë dhe në vend të përgjigjes janë shërbyer me ofendime ndaj gazetarëve. Unë mendoj se politikanët e Kosovës janë trimëruar për veprime të tilla, duke ndjekur shembullin e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, i cili qe duartrokitur nga vetë gazetarët kosovarë kur qe sjellë me arrogancë të pashembullt ndaj një grupi gazetarësh të Kosovës.”, ka deklaruar Paçarizi.
Ai ka theksuar se qasja e tillë ndaj gazetarëve është edhe ofendim ndaj publikut.
“Unë besoj se gazetarët nuk guxojnë ta pranojnë këtë standard komunikimi dhe duhet t’ua bëjnë këtë të qartë politikanëve, duke i bojkotuar demonstrativisht në rastet kur ata provojnë të sillen në atë mënyrë. Qasja e tillë ndaj gazetarëve është, në të vërtetë, ofendim ndaj publikut dhe guximi i gazetarëve për t’i ndëshkuar do të ndiqet nga një ndëshkim apo vetëdijësim i publikut për këtë.”
Ofendimet ndaj gazetarëve që bën bujë
Rreth dy vite më parë, ish kryeministri, Isa Mustafa kishte reaguar ndaj artikullit “Vëllai i kryeministrit Mustafa kërkoi azil në Francë dhe Gjermani”, të shkruar nga gazetari Vehbi Kajtazi duke e quajtur “qen bir qeni” për shkak se sipas tij, gazetari ishte marrë me vëllanë e tij, në gjendje jo të mirë shëndetësore.
Rast tjetër është ofendimi i Hysen Durmishit, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje i cili në vitin 2016 përmes një postimi në Facebook, kishte deklaruar se “gazetarët duhet tërhequr zvarrë”. I njëjti, një ditë më vonë, ishte penduar dhe kishte thënë se postimin e kishte shkruar nga nervoza.
“Mbeturina gazetaruce” i ka quajtur gazetarët Donika Gashi, anëtare e Vetëvendosjes. Reagimi i saj erdhi pas raportimit të Gazetës Insajder, për fyerjet që ajo i drejtoi komunitetit LGBTI.
Ofendimit ndaj gazetarëve nuk i iki as kryeministri aktual, Ramush Haradinaj. Ai gjatë një konference për media iu sugjeroi gazetarëve që të “kryejnë shkollë dhe të lexojnë më shumë, pasi nuk po i kuptojnë gjërat”.
Më e freskët është përplasja e gazetarit Adriatik Kelmendi me presidentin Hashim Thaçi ku gjatë emisionit “Rubikon” presidenti e quajti gazetarin rrenc dhe shpifës.
Gazetare: Valmira Vranoci
Ky shkrim është prodhim i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës në kuadër të projektit Platforma Rajonale e Ballkanit Perëndimor për Avokimin e Lirisë së Medias dhe Sigurisë së Gazetarëve, e themeluar në janar të vitit 2016 me ndihmën financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij publikimi nuk mund të konsiderohet në asnjë rrethanë si pasqyrim i qëndrimit të Bashkimit Evropian.