REAGIM
Prishtinë, 28 shkurt 2019 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me shqetësim të madh ka pranuar një ankesë nga një punonjës i “Tribuna Media Group” për mos kryerjen e obligimeve financiare për disa muaj radhazi si dhe shkeljen e të drejtave në punë.
Kjo nuk është hera e parë që punëtorët e “Tribuna Media Group” drejtojnë ankesë për këtë medium në AGK.
AGK ju bënë thirrje institucioneve të vendit, përkatësisht Inspektoratit të Punës dhe Prokurorisë së Shtetit që t’i hetojnë këto pretendime, ku punonjësi medial nuk është paguar për punën e bërë.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shprehet i gatshëm t’i ndihmojë çdo kolegu ndaj të cilit është bërë çfarëdo shkelje dhe mohim i të drejtave të tyre, në mënyrë që ata t’i ndjekin rrugët ligjore pranë institucioneve gjegjëse.
Kujtojmë se AGK në dy vitet e fundit, pas raportimit të anëtarëve të vet se mediumi “Tribuna Media Group”, nuk i kishte kompensuar ata për punën e bërë, kishte përcjellur këto raste në Inspektoratin e Punës, ku lënda kishte shkuar për shqyrtim edhe në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Po ashtu, AGK fton të gjithë gazetarët të cilët përballën me probleme të tilla në cilëndo medie në Kosovë të raportojnë në AGK dhe në institucionet përkatëse.
AGK mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të gazetarëve, si dhe në krijimin e një ambienti sa më të mirë të të bërit gazetari në vend.