PRISHTINË, 23.05.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka marrë me shqetësim gjuhën e përdorur nga zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje ndaj Kryeredaktorit të Kohës Ditore – Agron Bajrami, gazetarit të Kohes Ditore Besnik Krasniqit dhe autorit të “Rubikon-it” në Klan Kosova, Adriatik Kelmendit.
Në postimin e tij, Liburn Aliu shkruan – “Kjo që ka thënë Agron Bajrami, e që po ‘hulumton’ Besnik Krasniqi, është ajo që dëshiron Kadri Veseli. Po, mund të jetë koincidencë. Kadri Veseli dëshiron që Gjykata Kushtetuese ta godas edhe Thaçin edhe Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe t’ia hap të dytit rrugën për Kryeministër. Ai e din që në zgjedhjet e ardhshme fiton LVV por po ashtu beson që PDK del e dyta dhe me këtë Aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, bëhet presedani që i hap rrugën atij për t’u bërë Kryeministër. E përsëris, po, mund të jetë koincidencë.”
Pas postimit të Aliut, edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli ka shkruar rreth po të njëjtës çështje – “Gazetari i cili vete na tregon se GjK qenka e kapur nga PDK, pastaj del me burime te brendshme sipas tij nga GjK. Kah keto burime te brendshme kur GjK qenka e kapur nga PDK? E respektojme punen e pavarur te medias, e sic e tha edhe Liburni, mund te jete teresisht koincidence qe interesat e Kadri Veselit perputhen me ate qe parashikon gazetaria e burimeve anonime. Ne e dime qe do te jemi fitues mbi 50%, por Kadri Veseli shpreson qe jo. Pra, Veseli beson qe VV-ne nuk mundet me e ndale, por shpreson qe ajo nuk do t’i merr mbi 50% dhe mundet me u be ai pastaj kryeminster.”
Ndërkaq, edhe zyrtari i të njëjtës parti, Adnan Rrustemi, gjatë ditës së djeshme, po ashtu përmes një postimi në Facebook ka shkruar – “Adriatik Kelmendi paska deklaruar mbrëmë që gjendja në Gjykatën Kushtetuese është 7 me 2 në favor të Thaçit. E qartë, ai synon që gjyqtarët që po lëkunden t’i shpiejë kah pozicioni i Thaçit. Adriatiku nuk është det me ujë të freskët por turbullirë me ujë të PAN-it. Prandaj iku nga KTV për të zëvendësuar në klan Batanin.”
Kjo formë e shprehjes ndaj gazetarëve, për AGK-në përbënë një sulm ndaj lirisë së shprehjes. Presionet e tilla nuk janë të dëmshme vetëm për punën e gazetarëve por edhe për demokracinë në vend.
Duke i akuzuar gazetarët se favorizojnë një parti apo tjetër, i bëjnë target te sulmeve. Çdo ankesë ndaj raportimeve, të cilat mund të vlerësohen jo profesionale, mund të drejtohen në institucionet përkatëse.
Gazetarët kanë të drejtë në kryerjen e punës se tyre lirshëm, pa pasur frikën e etiketimeve të kësaj natyre.
AGK ju bënë thirrje të gjithë zyrtarëve politik që të ndalin sulmet ndaj gazetarëve, në mënyrë që puna e tyre t’i shërbej opinionit dhe zhvillimit demokratik të shoqërisë sonë.