PRISHTINË, 22.12.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, dënon ashpër sulmin fizik në drejtim të gazetarit, Valon Syla.
Një video e cila po qarkullon në rrjetet sociale, Syla shihet duke u grushtuar nga një person i panjohur.
Në lidhje me rastin, AGK-ja ka kontaktuar Policinë e Kosovës, të cilët kanë konfirmuar se kanë pranuar informatën për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla.
“Sot rreth orës 12:05, kemi pranuar informatën se në lagjen Pejton është sulmuar gazetari. Njësia policore ka arritur në vendin e ngjarjes dhe ka kontaktuar përmes telefonit me gazetarin, i cili ka deklaruar se për momentin nuk ka nevojë për trajtim mjekësor. Jemi duke e pritur për të marrë informata të tjera”, ka thënë Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për AGK-në, Baki Kelani.
AGK kërkon nga organet e drejtësisë që sa më shpejtë t’i hetojnë motivet e sulmit dhe ta zbardhin këtë rast, i cili në themel dëmton lirinë e shprehjes dhe medias.
Secili sulm në drejtim të gazetarëve është sulm ndaj fjalës së lirë dhe demokracisë në vend.