PRISHTINË, 17.03.2021 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK së bashku me Institutin Kombëtar Demokratik – NDI, profesorë dhe udhëheqës të medieve, diskutuan mbi të gjeturat e NDI rreth mbulueshmërisë së fushatës zgjedhore nga mediet e vendit.
Sipas të gjeturave të publikuara nga NDI, mediet online kontribuuan në gjuhën përçarëse duke publikuar dhe në disa raste keqinterpretuar deklaratat e krijuesve të opinioneve dhe politikanëve, si dhe duke sulmuar drejtpërdrejt partitë politike dhe individët. Përdorimi i gjuhës së ashpër, përfshirë kërcënimet fizike, kontribuoi në përçarjet politike.
Raporti gjithashtu theksoi se rrjetet sociale përhapën dhe krijuan fotografi dhe video të manipuluara. Janë krijuar dhe janë shpërndarë përmbajtje, foto dhe video të manipuluara ose të trilluara me qëllim të deformimit të figurave politike apo aludimit për afera korruptive në lidhje me procesin e certifikimit të kandidatëve.
E gjetur tjetër nga NDI, ishte fenomeni i mizogjinisë. Mediet online dhe rrjetet sociale publikuan dhe shpërndanë përmbajtje të papërshtatshme për gratë kandidate gjatë kësaj periudhe.
Hapjen e diskutimit “Ridefinimi i rolit të gazetarëve në komunikimin politik”, e bëri Ambasadorja Nancy Soderberg – Drejtore e lartë rezidente e NDI-së në Kosovë. Ambasadorja Soderberg theksoi rëndësinë e integritetit të informatave.
“Demokracia e Kosovës bazohet në integritetin e informatave si një fakt vendimtar që iu mundëson qytetarëve të kenë njohuri adekuate për politikën dhe aferat publike dhe të kërkojnë llogari nga qeveria, duke u bazuar në informacione të sakta”.
Kryetarja e Bordit të AGK-së, Gentiana Begolli Pustina, vlerësoi se marrë parasysh gjendjen aktuale të gazetarisë në Kosovë, veçmas të medieve online, shihet si mëse e domosdoshme angazhimi i udhëheqësve të medieve, shoqërisë civile dhe faktorit ndërkombëtar në profesionalizimin e mëtutjeshëm të gazetarëve me qëllim të rikthimit të besimit në medie.
Më shumë se 20 gazetarë të medieve qendrore dhe atyre lokale, diskutuan me panelin e përbërë nga Kreshnik Gashi, Kryeredaktor në kallxo.com dhe autor i emisionit “Drejtësia në Kosovë”, Muhamet Hajrullahu, Kryeredaktor në Telegrafi.com, Tatjana Lazarevic, Kryeredaktore në Kossev dhe Abit Hoxha, Hulumtues në Universitetin Adger në Norvegji.