AGK: FFK të merr masa ndaj gjuhës seksiste të Tahir Batatinës në drejtim të gazetares Qendresa Krelani

AGK: FFK të merr masa ndaj gjuhës seksiste të Tahir Batatinës në drejtim të gazetares Qendresa Krelani

PRISHTINË, 12.04.2021- Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, shprehet tejet i shqetësuar me gjuhën seksiste dhe fyese të trajnerit të futbollit, Tahir Batatina, në drejtim të gazetares së sportit në RTK, Qëndresa Krelani.

Batatina gjatë një emisioni televiziv i është drejtuar gazetares me fjalët: “Ti në gazetari mundesh me palu gazeta, ose me pastru diçka, por me analizu futbollin në këtë mënyrë jo…. niveli yt nuk është i një gazetareje, duke filluar prej dukjes…”

Gjuha seksiste, ofenduese dhe krejtësisht joadekuate e përdorur nga Batatina është tejet shqetësuese dhe e papranueshme. Për AGK-në, nuk është shqetësuese vetëm sa pak janë të përfaqësuara gratë në medie, por edhe si përfaqësohen ato.

AGK-ja gjithashtu kërkon nga Federata e Futbollit e Kosovës – FFK, të merr masa ndaj trajnerit Batatina për gjuhën e përdorur, si dhe inkurajon të gjitha gazetaret që pavarësisht seteorotipave të shoqërisë, të mos heqin dorë nga ushtrimi i profesionit të tyre, në cilëndo fushë që ato dëshirojnë të raportojnë.