SJ: Kërcënime të ashpra në drejtim të gazetarit Aleksandër Stankov

SJ: Kërcënime të ashpra në drejtim të gazetarit Aleksandër Stankov
Foto: Pixabay

Aleksandër Stankov, gazetari i portalit “Juzne vesti” ka pranuar disa mesazhe shqetësuese, por edhe kërcënuese nga kryetari i Asociacionit të familjeve të të kidnapuarve, vrarëve dhe zhdukurve nga “Kosova dhe Metohija”, Simo Spasiq, pas ngacmimeve të vazhdueshme disa mujore që ky i fundit ia ka bërë gazetarit. Në mesazhet e tij, Simo Spasiq i ka thënë gazetarit se ai dhe disa kolegë të tij nga mediat e tjera duhet të vareshin, dhe se ai e ka peng se përse disa nga anëtaret e familjes se gazetarit nuk janë të vrarë.

Gjegjësisht, ngacmimi i kolegut tonë Stankov ka filluar që në pranverë, pasiqë portali “Juzne vesti” ka publikuar një artikull në lidhje me ambientet që organizata me të cilën udhëheqë Simo Spasiq i mori nga qyteti i Nishit. Gjithçka arriti kulminacionin gjatë ditëve të fundit kur gazetari raportoi rastin në polici dhe prokurori, por kjo nuk e ndaloi sulmuesin të vazhdonte ta ngacmonte e frikësonte. Pasi policia foli me Spasiqin, mesazhe të tjera kërcënuese iu dërguan Stankovit.

Prokuroria tashmë e ka filluar procesin për shkak të gjithçkaje që kishte ndodhur në muajt e mëparshëm, në ndërkohë që e karakterizoi rastin si vepër penale të përndjekjes.

Për Rrjetin SafeJournalists, Aleksandër Stankov tha: “Ndihem i indinjuar dhe i kërcënuar nga mesazhi i parë që mbërriti më 29 gusht, dhe tani e gjithë kjo është përforcuar vetëm nga një seri mesazhesh që erdhën edhe pasiqë Spasiqi u paralajmërua që të mos i dërgonte ato. Është e qartë se ai nuk po heq dorë, pavarësisht paralajmërimit të policisë. Unë e kam informuar publikun dy herë në konsultim me prokurorin dhe pres që procesi të përfundojë në përputhje me ligjin. ”

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Pavarur të Serbisë – IJAS, Zheljko Bodroziq, ka mirëpritur reagimin e shpejtë të autoriteteve kompetente dhe tha se ai shpreson që ky rast të procedohet shpejt dhe se kryesi do të dënohet në mënyrë adekuate. “Do të ishte një mesazh i qartë për publikun se kjo lloj sjelljeje është e papranueshme,” tha Bodroziq.

Rrjeti SafeJournalists, i cili përfaqëson më shumë se 8,200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor, dënon kërcënimet e bëra në drejtim të Aleksandër Stankovit. Ne kërkojmë një hetim të shpejtë dhe efikas dhe një dënim adekuat për autorin.

Ne do t’i njoftojmë të gjithë akterët relevant kombëtarë dhe ndërkombëtarë.

Secili sulm në drejtim të gazetarëve është sulm në interesin publik, demokracinë dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve.

Beograd – Podgoricë – Prishtinë – Sarajevë – Shkup – Zagreb, 06.09.2021

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë

Asociacioni i Gazetarëve të të BH

Asociacioni i Gazetarëve Kroatë

Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur të Serbisë