3 Maji – shënon Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit. Kjo ditë shënohet që nga viti 1993, e vendosur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të bashkuara, e cila shërben për t’ua përkujtuar qeverive nevojën e respektimit të përkushtimit të tyre për lirinë e shtypit. 3 Maji, gjithashtu është një ditë reflektimi në mesin e profesionistëve të medieve për lirinë e shtypit dhe etikën profesionale.
Në nder të shënimit të kësaj dite, Bordi i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës nëpërmjet një deklarate të përbashkët kanë adresuar shqetësimet për Qeverinë, Institucionet e Sundimit të Ligjit dhe akterët e tjerë relevantë, për ta ngritur zërin e tyre ndaj cenimit të lirisë së medias, sigurisë së gazetarëve, gjuhës denigruese ndaj gazetarëve dhe ndikimit të saj në besimin në media.
Këtë deklaratë, Bordi i AGK-së e ka adresuar përmes një konference për shtyp që është mbajtur pranë Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Deklarata e plotë e Bordit të AGK-së:
MEDIAT NUK JANË ARMIKU !
Në fillim të dekadës së tretë të lirisë së Kosovës, roli i mediave mbetet po aq vital për zhvillimin demokratik të saj.
Ndër vite, gazetarët dhe mediat kosovare kanë luajtur rolin e tyre primar – informimin e publikut dhe mbajtjen përgjegjës të njerëzve në pushtet që kanë udhëhequr e udhëheqin me vendin.
Ndodhë rrallë që politikanët të jenë të kënaqur me punën e mediave, dhe gazetarët nuk kërkojnë dhe nuk presin një gjë të tillë. Por, ajo që presin është që njerëzit në pushtet të njohin rolin dhe profesionin e gazetarit dhe ta respektojnë atë.
Sulmet e vazhdueshme dhe të orkestruara nga pushteti aktual, shpeshherë të bëra me gjuhë ‘politikisht në rregull’, janë duke e degraduar profesionin e gazetarit si asnjëherë më parë. Kjo sjellje, në kombinim me mbylljen e institucioneve dhe mostransparencën që ka mbizotëruar gjatë tërë vitit të kaluar, e bën punën e gazetarit shumë të vështirë.
Tentativa e politikanëve që skandalet të fshihen duke sulmuar gazetarët me narrativën e mirë-orkestruar që “ata shpifin, mos iu besoni”, është e rrezikshme dhe i bën gazetarët të duken kinse janë armiku i vendit. Kur kjo narrativë bëhet e përditshme, atëherë ajo përbën kërcënim direkt për sigurinë e gazetarëve.
Në vend të nxitjes së urrejtjes ndaj gazetarëve, fuqia politike e pushtetarëve sot duhet të përdoret për të përmirësuar ambientin e të bërit gazetari duke adresuar fillimisht të gjitha kritikat që janë dhënë nga raporte kredibile ndërkombëtare.
Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, ne kërkojmë që politkanët të ndalin menjëherë bojkotimin e mediave, të japin llogari rregullisht, të respektojnë legjislacionin për qasje në dokumente publike, të mos sulmojnë apo nxisin urrejtje ndaj gazetarëve, dhe të krijojnë kushte për luftimin efektiv të pandëshkueshmërisë së sulmeve ndaj gazetarëve.
MEDIAT NUK JANË ARMIKU!