Gazetari i Grupit KOHA, Agim Ademi, e ka njoftuar AGK-në, për gjuhën fyese dhe me tone kërcënuese që Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, ka bërë kundër tij në një seancë të Kuvendit Komunal.
Aliu citohet ta ketë quajtur “prontist:” Ademin, duke thënë se do ta “denoncojë” të drejtoresha e vendit të punës së tij.
“Zotri Jakupi e keni gjetur një gazetar ‘prontist’ siç është Agim Ademi, ai është prontist sikurse jeni edhe ju. E keni shfrytëzuar edhe injorancën e një punëtori teknik atje dhe po bëni storie çdo javë. Me kësi storie i bini shpullë vetes, sepse keni për ta parë se po bëni shumë zhurmë për asgjë. Sa i përket këtij gazetari që ka qëlluar fatkeqësisht korrespodent do të mundohem ta takoj pronaren e KOHËS, merru se ta kanë kap dhe ta kanë ble ai zotëria atje që bën kronika për qejf të vet, shpif dhe i godet edhe kolegët e vet”, ka thënë Aliu.
AGK-ja, e konsideron të papranueshme gjuhën e Kryetarit Aliu, dhe e fton atë të tërhiqet nga akuzat dhe kërcënimet e vazhdueshme ndaj Ademit, dhe në vend të kësaj të ofrojë transparencë për punën në nivel komunal.