AGK: Skandaloze sulmet publike të anëtares së OSHP-së, Kimete Gashi ndaj gazetares Saranda Ramaj

AGK: Skandaloze sulmet publike të anëtares së OSHP-së, Kimete Gashi ndaj gazetares Saranda Ramaj

Gjatë një raportimi në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere të Kuvendit të Kosovës, anëtarja e Organit Shqyrtues të Prokurorimit, Kimete Gashi, ka denigruar punën e gazetares së Grupit Koha, Sarandaj Ramaj, duke sugjeruar madje edhe “marrje masash” kundër saj.

Sipas videos nga Komisioni, anëtarja e Bordit të OSHP-së, i është referuar Ramajt kur ka thënë se “është vetëm një gazetare e zëshme dhe jashtëzakonisht dezinformuese”.

“Kam kërku nga anëtarët e bordit edhe jemi duke e diskutu a me inicu një rast për këtë gazetare? A me lajmërua na Komision (të Kuvendit)”, citohet të ketë thënë Gashi.

Ajo i është referuar raportimeve të Ramajt dhe medies ku punon për kontraktimin e barnave pa certifikatën e cilësisë.

AGK-ja i vlerëson skandaloze sulmet publike të zonjës Gashi ndaj gazetares dhe të papranueshme, duke përfshirë thirrjen për masa për shkak të punës së saj, që janë të paimagjinueshme në sistemin demokratik të vendit.

AGK-ja fton institucionet publike që të sigurohen për transparencë në vendimet që marrin për shkak të interesit publik, dhe të mos provojnë të angazhohen në “aksione disiplinore” kundër gazetarëve.