Gazetarët afganë: Mirënjohës ndaj Qeverisë dhe AGK-së për mundësinë për të vazhduar profesionin në një vend si Kosova

Gazetarët afganë: Mirënjohës ndaj Qeverisë dhe AGK-së për mundësinë për të vazhduar profesionin në një vend si Kosova

Gazetarët afganë Amina Omid, Ahmad Shaker Sangi, Nimatullah Gholami dhe Rafiullah Nikzad të shoqëruar nga Kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha dhe Zyrtarja Ligjore e ECPMF-së, Flutura Kusari, kanë mbajtur sot konferencë për medie.

 

Në konferencën e mbajtur në zyrat e AGK-së, gazetarët afganë janë shprehur mirënjohës për mbështetjen e dhënë nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe gatishmërinë e ECPMF-së dhe AGK-së për t’i ndihmuar ata.

 

“Falënderoj Qeverinë e Kosovës dhe Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës që na kanë krijuar këtë mundësi që të jemi në Kosovë dhe që ta vazhdojmë profesionin tonë të sigurt” – tha Omid, duke shtuar se shpreson që të gjithë gazetarët e Afganistanit, veçanërisht vajzat dhe gratë të jetojnë në liri të plotë ashtu siç jetojnë në Kosovë.

 

Teksa gazetari, Ahmad Shaker, tha se shumë prej kolegëve të tij janë kërcënuar me jetë dhe se shumë prej tyre janë detyruar të ikin në shtetet tjera.

 

“Afganistanin e kemi lënë në gjendje të rëndë, mediet atje nuk janë aspak të lira dhe secila medie ka një përfaqësues të talebanëve që i kontrollon. Ata vërtetë e kanë krijuar një gjendje të pasigurt sepse nuk pranojnë asnjë kritikë ndaj pushtetit. Përafërsisht 60 për qind e medieve janë mbyllur dhe gazetarët e kanë lëshuar shtetin. Një pjesë e atyre gazetarëve janë strehuar në shtetet afër Afganistanit, por që po jetojnë një jetë mjaftë të varfër”, tha ai.

 

Më tej, gazetari Raifullah Nikzad, tha se është shumë i lumtur që gjendet në Kosovë, por njëkohësisht është shumë i shqetësuar për familjen e tij që ka mbetur në Kabul.

 

“Nga mediet dhe gazetarët e Kosovës ju kërkoj që të trajtojnë më shumë gjendjen e Afganistanit dhe kolegëve të tyre atje, që t’i ndihmojnë atyre që të ushtrojnë profesionin e tyre lirshëm”, tha Nikzad.

Kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha, u shpreh i lumtur për ndihmën e dhënë nga shteti për strehimin e gazetarëve afganë në Kosovë, teksa falënderoi edhe kolegët për solidarizimin me ta.

“AGK-ja është shumë e lumtur që të ndihmojë në strehim gazetarët afganë, që janë detyruar të ikin nga shteti i tyre për shkak të situatës politike. Jam falënderues për solidarizimin e komunitetit gazetaresk me ta, dhe ne do të bëjmë gjithçka që mundemi që ata të vazhdojnë ta bëjnë punën e tyre si gazetarë në një ambient të sigurtë”

 

Flutura Kusari – Zyrtare Ligjore në ECPMF teksa shpjegoi programin dhe benefitet e tij, tha se do të bëhet çdo gjë që kolegët afganë të vazhdojnë punën e tyre si gazetarë.

 

“Shtëpia jonë është shtëpia e tyre. Do të bëjmë gjithcka që është e mundur që të bëjnë një jëë të mirë dhe të vazhdojnë punën e tyre si gazetare.”, tha Kusari.

 

 

Gazetarët afganë u mirëpritën në Kosovë një muaj pas vendimit të Qeverisë për strehimin e tyre, në kuadër të programit “Journalists in Residence – Kosovo”, që është i iniciuar nga ECPMF, e që financohet nga Qeveria e Kosovës dhe mbështetet bujarisht nga Iniciativa Hannah Arendt.

 

Gazetarëve do t’u sigurohet strehim, pagë mujore, sigurim shëndetësor dhe biletë kthimi, kur rrethanat të krijohen që ata të kthehen në shtëpitë e tyre.