Në gjashtë vjetorin e vrasjes së gazetares malteze, Daphne Caruana Galizia, e cila u vra nga një bombë derisa po udhëtonte me veturën e saj, Federata Ndërkombëtare dhe Evropiane e Gazetarëve, si dhe grupet e lirisë së medias, kanë bërë thirrje për vendosjen e drejtësisë.
Në një komunikatë të përbashkët, IFJ, EFJ dhe grupet e lirisë së medias e ripërsërisin kërkesën ndaj qeverisë malteze që të sjellin para organeve të drejtësisë të gjithë personat e përfshirë në vrasjen e gazetares, si dhe të zbatojnë në tërësi rekomandimet e hetimit publik që është bërë për Cauana Galizian.
“Sërish, ne bëjmë thirrje për forcimin e tri ligjeve të propozuara që synojnë përmirësimin e sigurisë së mediave në mënyrë që të përmbushen standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e gazetarëve, duke përfshirë legjislacionin e zbehur të qeverisë kundër padive SLAPP.
Autoritetet malteze duhet të shënojnë gjashtë vjetorin e vrasjes së Caruana Galizia duke bërë deklarata të qarta në mbështetje të drejtësisë së plotë për vrasjen e saj, duke u zotuar se do të zbatojnë rekomandimet e raportit të hetimit publik, dhe duke garantuar një konsultim transparent mbi legjislacionin në pritje me përfshirjen e ekspertëve ndërkombëtarë të medias dhe shoqërisë civile.”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.
Caruana Galizia, vitin që u vra shkaktoi zgjedhje të parakohshme duke publikuar akuza që e lidhnin Josep Muscat – kryeministrin e atëhershëm me skandalin e #PanamaPapers, ku u ekspozua përdorimi i lehtësimeve fiskale nga të pasurit.
Për vrasjen e gazetares, u pati akuzuar Yorgen Fenech – biznesmen i njohur, që kishte lidhje të afërta me qeverinë, por që i njëjti i pati mohuar akuzat ndaj tij.
Në vitin 2021, u publikua një raport 437 faqe, i hetimit publik të vrasjes së gazetares, në të cilin konstatohej se Malta ishte përgjegjës për vrasjen e saj. Ani pse, Qeveria e Maltës nuk luajti një rol të drejtpërdrejtë, raporti thekson se e njëjta nuk kishte arritur ta mbronte gazetaren Caruana Galizia nga kërcënimet me jetë.