Gazetarët ukrainas dhe stafi i AGK-së ishin pjesë e konferencës RE: COVER në Krakow të Polonisë

Gazetarët ukrainas dhe stafi i AGK-së ishin pjesë e konferencës RE: COVER në Krakow të Polonisë

Dhjetë gazetarë ukrainas të strehuar në Kosovë në kuadër të programit Journalists in Residence – Kosovo, morën pjesë në kampusin dhe konferencën RE: COVER të organizuar në Krakow të Polonisë.

Në ditën e parë të kampusit e cila është organizuar nga European Centre for Press and Media Freedom ECPMF, në kuadër të programit Voices of Ukraine – i financuar nga Qeveria Gjermane, para mbi 100 gazetarëve nga Ukraina, u shfaq dokumentari për programin JiR Kosovo – i realizuar nga Xhemajl Rexha.

Pas dokumentarit u organizua diskutimi me panelistë Kryetarin e AGK-së, Xhemajl Rexha, Zyrtaren Ligjore të ECPMF-së, Flutura Kusari, dhe gazetaren e parë ukrainase e strehuar në Kosovë, Lyudmila Makei.

Gazetarët ukrainas patën mundësinë të ndjekin panele të shumta diskutimi që kishin të bëjnë me sigurinë fizike, sigurinë psikologjike, sigurinë për gazetaret, dokumentimin e krimeve të luftës, si të hulumtohen krimet e luftës, mbrojtjen ligjore, e shumë tema të tjera që lidhen me situatën aktuale të gazetarëve dhe mediave në Ukrainë.

Journalists in Residence – Kosovo, është program i iniciuar nga ECPMF, implementohet nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, dhe mbështetet financiarisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës, iniciativa Hannah Arendt, dhe OSCE Mission in Kosovo.

Deri më tani, nga ky program kanë përfituar 18 gazetarë nga Ukraina, gjashtë prej të cilëve e kanë përfunduar me sukses programin prej gjashtë muajve, si dhe pesë gazetarë nga Afganistani.