Para fillimit të modulit, studentëve të gazetarisë dhe gazetarëve, iu drejtua Kryetari i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha dhe Vjollca Islami Hajrullahu, Menaxhere e projekteve në Forum Civil Peace Service – Kosovo.
Rexha veçoi rëndësinë e kësaj Akademie për gazetarët e rinj, dhe falënderoi forumZFD, për mundësinë e dhënë që studentët e gazetarët të mësojnë praktikat më të mira rreth raportimit për këto tema.
Islami Hajrullahu theksoi se ForumZFD-Programi në Kosovë, ka punuar intensivisht për më shumë se 5 vjet me media, gazetarë dhe studentë të gazetarisë për të përmirësuar profesionalizimin e raportimit në ballafaqimin me të kaluarën dhe raportimin e sensibilizuar për konflikt.
“Meqë media është burimi kryesor i informacionit për shumicën tonë, është thelbësore që gazetarët dhe mediat të evitojnë lajmet e rreme dhe ndikimet e jashtme dhe të brendshme që mund të shtyjnë në rritjen e tensioneve të cilat shpijnë në konflikt. Andaj forumZFD e vlerëson shumë të rëndësishëm bashkëpunimin me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës -AGK dhe realizimin e “Akademisë së gazetarisë për Ballafaqimin me të Kaluarën dhe Raportimin e Sensibilizuar për Konflikt”, tha ajo.
Studentëve të gazetarisë dhe gazetarëve pjesëmarrës të modulit të parë të Akademisë, të shtunën iu është ligjëruar për Hyrje në Gazetarinë për Paqe.
Në këtë modul të Akademisë, të cilin e ligjëroi Prof. Abit Hoxha – në Universitetin e Adger ne Norvegji, u diskutua për rëndësinë e raportimit për Ballafaqimin me të Kaluarën dhe Raportimin e Sensibilizuar për Konflikt. Veç tjerash, u diskutua edhe për perspektivat dhe kornizat etike të nevojshme për të raportuar mbi konfliktet dhe çështjet shoqërore. Gjithashtu, u diskutua se si gazetarët mund të kontribuojnë në një diskurs publik më të informuar, empatik dhe të orientuar drejt paqes.
Gjithashtu, gazetarët së bashku me profesorin Hoxha patën rastin të analizojnë përmbajtjet mediatike lokale dhe ndërkombëtare të raportimit mbi këto tema që kanë të bëjnë me të kaluarën.
Akademia në fushën e raportimit për Ballafaqimin me të Kaluarën (BmK) dhe Raportimin e Sensibilizuar për Konflikt do të vazhdojë edhe me tri module të tjera në muajt pasues.