Gazetarja e Gazeta Infokus, Hateme Smajli, gjatë ditës së djeshme është kërcënuar nga Drejtori i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Komunën e Obiliqit, Haki Jashari.
Në njoftimin dërguar AGK-së, bëhet e ditur se gazetarja kishte shkuar në këtë QKMF pas ankesave të bëra nga qytetarët e Komunës së Obiliqit, për mykun që është formuar në katin e dytë të ndërtesës.
“Gazetarja Hateme Smajli së bashku me kameramanin, Blerant Shala kanë hyrë në oborrin e QKMF-së ku i janë afruar drejtorit dhe gazetarja i është drejtuar drejtorit duke iu prezantuar dhe duke i treguar problemin për të cilin kishin shkuar e që ishin ankesat e qytetarëve se po i marrin shërbimet në myk për shkak se kati i parë i QKMF-së është gati tërësisht i mykur dhe se kundërmon erë. Pas kësaj edhe pse me një qasje shumë korrekte dhe me profesionalizëm siç mund ta shihni edhe në videon linkun e të cilës e gjeni më poshtë, drejtori Haki Jashari eskalon në ofendime e kërcënime ndaj gazetares.”, thuhet në njoftim.
Në video, Drejtori i QKMF-së, Haki Jashari, dëgjohet duke e ofenduar gazetaren dhe duke i thënë që është e vogël për t’u marrë me të, e duke e kërcënuar se do të bisedonte me eprorët e saj.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e dënon gjuhën dhe qasjen e Jasharit karshi koleges nga Infokus, dhe njëherësh cilëson se është shkelje flagrante e së drejtës për qasje në informacion, dhe transparencës.
AGK-ja, i bën thirrje organeve kompetente që të marrin masa lidhur me sjelljen e Jasharit drejt gazetares së Gazeta Infokus.