SafeJournalists: Thirrje për hetim të menjëhershëm për shkelje të rënda të të drejtave të gazetarëve në Maqedoninë e Veriut

SafeJournalists: Thirrje për hetim të menjëhershëm për shkelje të rënda të të drejtave të gazetarëve në Maqedoninë e Veriut
photo: canva

Rrjeti SafeJournalists shpreh shqetësim të thellë për shkeljen e fundit të të drejtave themelore të gazetares Miroslava Simonovska nga Republika e Maqedonisë së Veriut.

Të enjten, më 31 tetor, u publikua një videoklip në televizionin kombëtar, ku raportohet se gazetarja Miroslava Simonovska shihet duke marrë dokumente zyrtare të prokurorëve nga një person i panjohur. Ky incizim është bërë pa autorizim dhe është dorëzuar në televizionin kombëtar nga kryeprokurori Mustafa Hajrulahi, duke ngritur shqetësime serioze lidhur me privatësinë, përgjimin e paligjshëm dhe të drejtat e gazetarëve në Maqedoninë e Veriut.

Pavarësisht masave të marra për fshehjen e identitetit në pamjet e publikuara, gazetarja tha se kjo video kishte të bënte me të. Publikimi i kësaj videoje të regjistruar në mënyrë të paligjshme të gazetares Miroslava Simonovska përbën një shkelje të rëndë të privatësisë dhe të drejtave themelore të saj. Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) konsideron se ky veprim ka për qëllim frikësimin dhe diskreditimin e Miroslava Simonovskës për shkak të raportimeve kritikuese të saj, veçanërisht për punën e prokurorit të lartë publik. “Ky incident paraqet një sulm të drejtpërdrejtë ndaj pavarësisë gazetareske dhe përbën një kërcënim për të gjithë gazetarët profesionistë. Taktika të tilla rrezikojnë të çojnë në autocensurë dhe minojnë rolin vendimtar të mediave në mbajtjen e përgjegjësisë nga pushteti”, thonë nga SHGM.

Në reagim ndaj këtij incidenti, gazetarja Miroslava Simonovska ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Publike të Shkupit për incizim të paautorizuar nga një zyrtar. Rrjeti SafeJournalists i kërkon Prokurorisë Publike që të bëjë një hetim të menjëhershëm. të plotë dhe pa vonesë të këtij rasti, si dhe u bën thirrje institucioneve përkatëse që të mbrojnë të drejtat dhe sigurinë e gazetarëve. Çdo gazetar ka të drejtë të lëvizë lirisht dhe të komunikojë me qytetarët pa frikë nga monitorimi i paligjshëm apo cenimi i privatësisë.

Kjo shkelje e të drejtave të gazetarit rrezikon rëndë lirinë e shtypit, duke ngjallur frikë jo vetëm te gazetarët, por edhe te qytetarët që mund të shërbejnë si burime për ekspozimin e abuzimeve brenda institucioneve shtetërore. Rrjeti SafeJournalists këshillon më tej organet e medias që t’i trajtojnë rastet që përfshijnë materiale të marra në mënyrë të dyshimtë me kujdes të veçantë, si dhe të respektojnë në mënyrë rigoroze standardet etike.

Rrjeti SafeJournalists do të informojë aktorët përkatës kombëtarë dhe ndërkombëtarë lidhur me këtë rast.

Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.

Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 04.11.2024

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë

Asociacioni i Gazetarëve të BH

Asociaiconi i Gazetarëve Kroatë

Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur të Serbisë

Sindikata e Mediave të Malit të Zi