Partnerët e Reagimit të Shpejtë për Lirinë e Medias (Media Freedom Rapid Response – MFRR) së bashku me rrjetin SafeJournalists (SJN) bëjnë thirrje për hetime të plota dhe të shpejta për kërcënimet e shumta kundër Natasa Miljanovic Zubac, gazetare për Radio Televizionin e Republika Srpska (RTRS).
Që nga sulmi me zjarrvënie në veturën e saj në vitin 2022, Zubac ka qenë cak i të paktën shtatë akteve kriminale, të gjitha të pandëshkuara. Partnerët e MFRR dhe SJN i kërkojnë gjithashtu Ministrisë së Brendshme të Republika Srpskas dhe Prokurorisë së Qarkut të Trebinjes për shtimin e mbrojtjes policore për të parandaluar kërcënimet e mëtejshme për jetën e gazetares. Masat e sigurisë që i janë dhënë Zubacit, duke përfshirë mbikëqyrjen e lëvizjeve të gazetares dhe patrullat e policisë së Trebinjës janë hapi i parë, por ende jo i mjaftueshëm për të mbrojtur jetën e saj duke pasur parasysh kërcënimet e vazhdueshme.
Që nga kthimi i saj në redaksi, pas 22 muajsh pushimi mjekësor pas djegies së veturës së saj në qershor të 2022-tës, Zubac vazhdon të frikësohet për jetën e saj, me lëvizjet e kufizuara dhe ndikimin serioz në punën e saj.
Ndër kërcënimet me vdekje në shtëpinë e saj private: në nëntor të 2022-ës, rrezet infra të kuqe u drejtuan në murin e dhomës së saj të ndenjjes dhe më vonë në trupin e saj, ndërsa më 26 mars 2023, një kukull me kokën e prerë dhe të mbuluar me ngjyrë të kuqe u gjet jashtë derës së shtëpisë së saj. Në tetor 2023, në të njëjtën derë shkruhej “Gojët e vdekura nuk flasin”. Pavarësisht hetimeve, asnjë nga rastet nuk rezultoi me aktakuza.
Kërcënimet vazhduan më 19 shtator 2024, kur gazetarja zbuloi mesazhin “Die NMZ” (inicialet e saj) në shtëpinë e djalit të saj, në fshatin Ljubomir, pranë Trebinjës. Incidenti trajtohet si vepër penale sipas nenit 150 të Kodit Penal të Republika Srpskas, i cili ka të bëjë me “Rrezikimin e sigurisë”.
“Për dy vjet e gjysmë kam qenë në shënjestër të kriminelëve. Përkundër tetë kërkesave për mbrojtje fizike, si dhe apeleve nga shoqatat e gazetarëve, Ministria e të Drejtave të Njeriut të Bosnjës dhe Hercegovinës, as Ministria e Brendshme e Republikës Srpska dhe asnjë institucion tjetër i sigurisë nuk më ka ofruar mbrojtjen e nevojshme. Unë jetoj si e burgosur në vendin tim. Kjo nuk është një jetë e denjë për një qenie njerëzore”, tha Zubac për Federatën Evropiane të Gazetarëve (EFJ).
“Mosndëshkueshmëria në rastet e djegies së makinave dhe kërcënimeve për sigurinë ndaj Natasa Miljanovic Zubac-it, jep hapësirë për përsëritjen e tyre, prandaj përgjegjësinë e drejtpërdrejtë e kanë jo vetëm autorët, por edhe policia dhe prokuroria e Trebinjës, të cilët prej dy vitesh nuk munden ose nuk duan që ta përfundojnë hetimin, të krijojnë baza ligjore për ndëshkimin e autorëve, si dhe për t’u mundësojnë grave gazetare të punojnë të sigurta dhe me dinjitet”, theksoi Shoqata e Gazetarëve të BH (BHN) dhe Linja e Ndihmës së Gazetarëve (FMHL).
Përveç kërcënimeve me vdekje, gazetarja është dhunuar dhe frikësuar vazhdimisht në mënyrë verbale. Ajo gjithashtu i tha MFRR-së se së fundi kishte raportuar një sulm fizik në policinë e Trebinjës, më 28 tetor.
Disa ditë pas Ditës Ndërkombëtare për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë për krimet kundër gazetarëve, MFRR dhe rrjeti SafeJournalists ritheksojnë se hetimi i pavarur dhe ndjekja penale e sulmeve është thelbësore për të penguar autorët dhe për t’i dhënë fund kulturës së rrezikshme të mosndëshkimit, siç dëshmohet nga kërcënimet e shumta mbi jetën e gazetares, që kanë mbetur pa u ndëshkuar.
Për më tepër, organizatat e nënshkruara bëjnë thirrje për mbrojtje të shtuar fizike që do t’i mundësonte Zubacit të vazhdonte punën e saj në siguri të plotë dhe të parandalonte përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës, si rezultat i hetimeve me interes publik.
Nënshkruar nga
Reagimi i Shpejtë për Lirinë e Medias (MFRR)
Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ)
Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF)
Organizata Free Press Unlimited (FPU)
Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI)
OBC Transeuropa (OBCT)
Rrjeti i SafeJournalists
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë
Asociacioni i Gazetarëve të BH
Asociacioni i Gazetarëve Kroatë
Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur të Serbisë
Sindikata e Mediave të Malit të Zi