Kryetarja e Shoqatës së Gazetarëve të Pavarur të Vojvodinës (IJAV), Ana Laliq Hegedish, është kërcënuar me vdekje, ndërsa gazetarja e portalit Nova.rs, Ana Markoviq është sulmuar fizikisht në tubimin “Stop, Serbi”.
Laliq Hegedish ka marrë një kërcënim nëpërmjet Facebook-ut. Bashkë me kërcënimin me vdekje, gazetarja u adresua edhe me fjalë fyese seksiste. Përkatësisht, personi që qëndron prapa llogarisë, Milenko Protiq, i ka dërguar gazetares të mërkurën një mesazh me këtë përmbajtje: “K**vë, do të vritesh”.
Avokati i IJAV-it i raportoi kërcënimet në Prokurorinë Speciale për Krimet e Teknologjisë së Lartë, që në përgjigje tha se do të hetojë të gjithë rastin brenda ditës.
Ana Laliq Hegedish thotë se nuk janë të rralla rastet kur ajo merr mesazhe kërcënuese dhe se nuk e di se çfarë mund të provokojë një kërcënim të tillë.
“Ne reagojmë kur ka një kërcënim të drejtpërdrejtë me vdekje si ky, kështu që avokati i IJAV-it e raportoi menjëherë kërcënimin. Sapo mora një telefonatë nga Ekipi i Krimeve të Teknologjisë së Lartë, që tha se do të urdhërojë policinë të hetojë të gjithë rastin brenda ditës. Siç thashë, për fat të keq, kjo është pak a shumë një nga ditët mesatare të jetës sime në dy vitet e fundit”, thotë Ana Laliq Hegedish.
Ajo shton se ka përshtypjen se më në fund institucionet po i marrin më seriozisht kërcënimet ndaj gazetarëve dhe se po reagojnë shpejt, por se gjërat ngecin kur duhet gjetur dhe arrestuar autorët.
“Unë kam dy raste që kanë dalë në gjyq, nga rastet e panumërta të raportuara. Epo, kemi edhe atë rast kur një burrë i ka ikur policisë nga arresti shtëpiak dhe nuk është gjetur ende, as nuk kemi informacion nëse dikush e kërkon. Është e qartë se ai është i lirë”, thotë gazetarja.
Gazetarja e Nova S, Ana Markoviq është sulmuar sot në tubimin “Stop, Serbi” pranë Fakultetit të Arteve Dramatike në Beogradin e Ri, ku ka shpërthyer përleshje mes demonstruesve dhe shoferëve të veturave. Qytetarët në shenjë proteste kanë bllokuar për 15 minuta kryqëzimin pranë fakultetit, çka ka ngjallur reagimin e disa shoferëve.
Një nga shoferët e inatosur ka goditur me grusht në parakrah gazetaren e Nova.rs e cila po xhironte ngjarjen dhe i ka rrëzuar telefonin në tokë. “Njerëzit që bënë nderimet e tyre më dolën në mbrojtje, duke thënë “lëreni’ vajzën të qetë”. Ata që ishin të mbledhur u përpoqën t’u shpjegonin shoferëve se përse u ndalën në rrugë, por dikush filloi t’i godiste përsëri dhe më pas u tërhoq. Pavarësisht rrethanave, asnjë nga të pranishmit nuk u largua nga vendi i tyre”, thotë Ana Markoviq.
Koalicioni për Lirinë e Medias dhe Rrjeti SafeJournalists dënojnë ashpër kërcënimin e ri me vdekje drejtuar kryetares së Shoqatës së Pavarur të Gazetarëve të Vojvodinës, Ana Laliq Hegedish, dhe sulmin fizik ndaj gazetares së Nova S, Ana Markoviq. Presim që institucionet përgjegjëse të marrin të gjitha masat në kompetencën e tyre dhe të zgjidhin sa më shpejt rastin e kërcënimeve ndaj Ana Laliqit dhe dhunës ndaj gazetares Ana Markoviq. Është veçanërisht e rëndësishme që rasti i kërcënimit të drejtpërdrejtë me vdekje të procedohet dhe të zgjidhet urgjentisht, duke pasur parasysh përvojën e mëparshme dhe gabimet e organeve kompetente që kanë mundësuar arratisjen e të akuzuarit nga arresti shtëpiak. Në këtë mënyrë, gjyqësori duhet t’u dërgojë një mesazh të drejtpërdrejtë sulmuesve se kërcënimet me vdekje dhe sulmet fizike nuk mund dhe nuk do të mbeten pa u ndëshkuar.
Kujtojmë se kërcënimet po përcillen gjithnjë e më shumë me komente fyese seksiste, të cilat po kthehen në një formë thuajse të rregullt të gjuhës së urrejtjes drejtuar grave gazetare. Edhe pse prodhojnë pasoja të mëdha, raste të tilla fatkeqësisht mbeten nën hijen e kërcënimeve dhe sulmeve më serioze, nuk njihen sa duhet nga institucionet kompetente dhe nuk ka asnjë përgjegjësi për to.
Rrjeti SafeJournalists: Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë, Shoqata e Gazetarëve të BH, Shoqata e Gazetarëve Kroatë, Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë, Sindikata e Mediave të Malit të Zi.
Koalicioni për Lirinë e Medias: Shoqata e Mediave, Shoqata e Mediave Online (AOM), Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Vojvodinës (NDNV), Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë (NUNS), Shoqata e Biznesit të Mediave Lokale dhe të Pavarura “Local Press”, Fondacioni Slavko Curuvija dhe Dega Sindikata e Kulturës, Arteve dhe Medias “Nezavisnost”.