
Rrjeti SafeJournalists dënon fuqishëm vendimin e Këshillit për Pakicat Kombëtare të Republikës së Kroacisë, i cili uli fondet për javoren e pavarur serbe Novosti me 35 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Ky vendim përfaqëson një vazhdim shqetësues të presionit ndaj Novosti, që prej muajsh po përballet me kërcënime dhe sulme politike, kryesisht nga partia Domovinski pokret.
Veçanërisht shqetësues është fakti që Domovinski pokret, në disa raste — përfshirë deklaratat publike gjatë fushatës zgjedhore dhe në faqet e para të mediave më të mëdha — kishte paralajmëruar uljen ose ndërprerjen e plotë të financimit për Novosti. Ky vendim i Këshillit tani duket si realizim i presionit politik, duke minuar edhe më tej besimin në pavarësinë dhe autonominë e institucioneve që duhet të mbrojnë të drejtat e pakicave, e jo të zbatojnë agjenda politike.
Vendimi i Këshillit për Pakicat Kombëtare, i marrë në kundërshtim me praktikat e deritanishme dhe pa baza të qarta ligjore, zbulon politizimin e thellë të një organi që duhet të mbrojë të drejtat e pakicave kombëtare, jo t’i cenojë ato. Veçanërisht alarmues është fakti që Novosti është i vetmi medium i pakicave që i është ulur financimi, duke e bërë këtë vendim jo vetëm selektiv, por edhe diskriminues — sidomos duke marrë parasysh kriteret e paqarta, megjithëse politika redaksionale e Novosti-t nuk ka ndryshuar, ndërsa tani papritur pikërisht kjo politikë është bërë shkak për një ulje drastike të mbështetjes.
Përpjekjet për të kufizuar punën e Novosti-t për shkak të përmbajtjes politike që disa aktorë politikë nuk e pëlqejnë përbëjnë një formë të rrezikshme të censurës politike dhe shkelin drejtpërdrejt të drejtat kushtetuese të pakicave kombëtare, si dhe lirinë e medias. Liria e shprehjes përfshin të drejtën e të gjitha mediave, përfshirë edhe ato të pakicave, për të raportuar lirisht dhe pa frikë për të gjitha çështjet me interes publik.
Rrjeti SafeJournalists i bën thirrje Qeverisë së Republikës së Kroacisë dhe të gjitha institucioneve përkatëse që të rishikojnë urgjentisht këtë vendim diskriminues dhe të mbrojnë të drejtat e mediave dhe gazetarëve nga presioni politik. Po ashtu, i bëjmë thirrje Këshillit për Pakicat Kombëtare që të respektojë mandatin dhe standardet e tij, dhe të mos kontribuojë në shkatërrimin e të drejtave të pakicave dhe mediave përmes veprimeve të tilla.
Çdo kërcënim ndaj gazetarisë së lirë dhe të pavarur është kërcënim ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve. Nuk do të tolerojmë presionin ndaj kolegëve tanë dhe nuk do të qëndrojmë në heshtje përballë diskriminimit të institucionalizuar.
Rrjeti SafeJournalists do të informojë të gjitha organizatat ndërkombëtare përkatëse dhe palët e interesuara për këtë rast.
Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 25 prill 2025
Shoqata e Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata e Gazetarëve të Bosnje-Hercegovinës
Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë
Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë
Sindikata e Mediave të Malit të Zi