
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), në bashkëpunim të ngushtë me Misionin e OSBE-së në Kosovë, me mbështetje nga Këshilli i Europës dhe Fondi për Zhvillim të Komunitetit (CDF), shënoi sot Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit me konferencën “Mbrojtja e gazetarëve dhe avancimi i barazisë gjinore në media”.
Fjalët hyrëse u mbajtën nga Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, Pascale Roussy, Drejtore e Departamentit të Demokratizimit në Misionin e OSBE-së në Kosovë, dhe Mary Ann Hennessy, Shefe e Këshillit të Evropës në Kosovë, të cilët theksuan nevojën kritike për të adresuar kërcënimet ndaj gazetarëve dhe për të siguruar barazi gjinore në peizazhin mediatik.
Rexha shprehu shqetësimin e thellë për rënien alarmante të Kosovës në Indeksin e Lirisë së Medias nga “Reporterët pa Kufij”, duke e renditur atë në vendin e 99-të. Kjo renditje është relfektim i politikave kundër medieve të Qeverisë që kulmuan me miratimin e Ligjit për KPM-në, që së fundi u shpallë anti-kushtetues nga Gjykata Kushtetuese. Megjithatë, Rexha bëri thirrje për një dialog të sinqertë dhe bashkëpunim ndërmjet të gjithë akterëve, përfshirë institucionet shtetërore, organizatat mediatike dhe shoqërinë civile. Ai theksoi se është jetike të krijohet një mjedis i sigurt dhe i pavarur për gazetarët, ku ata mund të ushtrojnë profesionin e tyre pa frikë dhe pa u ndjerë të kërcënuar.
AGK-ja, si një aktor i angazhuar për mbrojtjen e gazetarëve, mbetet gjithmonë pranë çdo gazetari që përballet me kërcënime, pengesa apo sulme. Rexha kërkoi një angazhim të fortë për sigurimin e kushteve dinjitoze për gazetarinë, duke përfshirë mbrojtjen e sigurisë së gazetarëve dhe ofrimin e mbështetjes institucionale për të gjithë ata që punojnë për të raportuar dhe informuar publikun në mënyrë të drejtë dhe të pavarur.
Shefja e Zyrës për Demokratizim në OSCE, Rossuy tha se Misioni i OSBE-së në Kosovë “e rithekson përkushtimin për lirinë e medias, sigurinë e gazetarëve, dhe raportimin e përgjegjshëm që është esencial për demokracinë e Kosovës. Liria e shprehjes nuk është e negociueshme, dhe mborjtja e një shtypi të lirë është përgjegjësi e përbashkët”.
Mary Ann Hennessey thekson se Dita Botërore e Lirisë së Shtypit na kujton se një media e lirë, e sigurt dhe e pavarur është thelbësore për demokracinë.
“Këshilli i Europës ka vendosur standarde të qarta për të mbrojtur lirinë e medias, sigurinë e gazetarëve dhe avancimin e barazisë gjinore në media. Në Kosovë, edhe pse janë bërë hapa përpara, ende mbeten sfida. Një rënie e ndjeshme në renditjen e Kosovës në Indeksin e Lirisë së Shtypit të RSF thekson nevojën për një angazhim më të fortë institucional për të mbrojtur gazetarët dhe për të mbështetur pavarësinë e medias.”
“Ajo që është e rëndësishme është se gazetarët nuk duhet të jenë heronj për të kryer detyrën e tyre. Ata meritojnë mbrojtje të plotë, si ligjore ashtu edhe praktike. Ndërsa shënojmë këtë ditë, le të kujtojmë: barazia gjinore në media nuk ka të bëjë vetëm me përfaqësimin, por edhe me mënyrën se si trajtohen çështjet dhe cilat zëra dëgjohen.”
Në panelin e parë, i moderuar nga Qëndresa Tershani, u diskutua formësimi i hapësirave të barabarta dhe gjithëpërfshirëse për gazetaret gra. Pjesëmarrësit theksuan sfidat gjinore në gazetari, rolet udhëheqëse të grave në media dhe nevojën për ambiente mediatike më të sigurta dhe gjithëpërfshirëse. Ato diskutuan gjithashtu mbi rëndësinë e rrjeteve dhe solidaritetit ndërmjet grave gazetareske për të luftuar për të drejtat dhe mundësitë e tyre.
Pjesëmarrëse në panel ishin:
Ardiana Thaçi, gazetare, Klan Kosova TV
Agnesa Qorri, gazetare, freelance
Maria Cheresheva, përfaqësuese e Shoqatës së Gazetarëve Evropianë – Bullgari
Maša Mileusnić, përfaqësuese e Rrjetit të Grave Gazetare të Serbisë
Thaçi reflektoi mbi sfidat që përballen gazetaret në Kosovë, theksoi: “Nuk është e lehtë të jesh grua gazetare në Kosovë, e aq më pak gazetare hulumtuese. Terreni është i minuar nga burrat që s’të lëjnë të ecësh përpara. Gazetaria në Kosovë po shndërrohet në gazetari të grave – por barra bie mbi to, duke i ekspozuar dhe rrezikuar shumë”.
Qorri ndau përvojën e saj si gazetare e pavarur, theksoi: “Më është thënë shpesh që ekonomia është temë për burra. Si gazetarë të pavarur përballemi me pasiguri – sulme online, mungesë besimi te freelancerët pasi nuk përfaqësojmë një medium të caktuar dhe paqëndrueshmëri financiare”.
Cheresheva diskutoi mbi realitetin e gazetarisë për gratë në rajon, ku ndër tjerash tha: “Fakti që gazetaria është ‘feminizuar’ nuk do të thotë që është feministe. Kemi shumë gra gazetare, por sfidat janë të mëdha – sidomos për gazetaret e pavarura në një mjedis të kapur nga politika dhe biznesi”.
Mileusnić u fokusua në sfidat që përballen gratë gazetare në Ballkan, shtoi: “Në Ballkan përballemi me të njëjtat sfida – patriarkati, dhuna, mungesa e grave në pozita vendimmarrëse. Redaksitë janë me shumicë gra, por kryeredaktorët janë burra. Duhet të qëndrojmë bashkë dhe të luftojmë për të drejtat tona – ky është fuqia e rrjeteve tona”.
Paneli i dytë, i moderuar nga Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, shqyrtoi kërcënimet ndaj gazetarëve, sfidat në kërkimin e drejtësisë dhe rolin e mekanizmave ligjorë në mbrojtjen e gazetarëve. Pjesëmarrësit nga sektori i drejtësisë theksuan përparimet në trajtimin e rasteve të gazetarëve, por gjithashtu nënvizuan nevojën për përmirësime në sistemin ligjor dhe mbështetje më të madhe nga institucionet për gazetarët që përballen me vështirësi.
Në panel morën pjesë:
Agron Bajrami, Prokuror i Shtetit në Prokurorinë Themelore dhe të Apelit
Leotrim Gashi, Gjyqtar në Gjykatën Themelore në Mitrovicë
Dorentina Thaqi, gazetare, TV Dukagjini
Burim Zariqi, gazetar, RTV21
Yll Zekaj, jurist dhe këshilltar ligjor në AGK
Prokurori Bajrami theksoi se “Prokuroria e Apelit ka procedura të shpejta për trajtimin e rasteve që lidhen me gazetarët, dhe se nuk ka raste që mbesin pa u trajtuar brenda afatit ligjor prej 15 ditësh”. Ai shtoi se, megjithatë, nëse ka ankesa lidhur me dështimin e prokurorëve për të trajtuar rastin në kohë, ato kthehen dhe kërkohen shpjegime shtesë nga prokurori i rastit në lidhje me ngecjet.
“Kjo është një çështje që kërkon më shumë angazhim dhe përgjegjshmëri nga ana e autoriteteve për të siguruar që çdo rast të trajtohet në mënyrë të duhur dhe të drejtë”, tha ndër tjerash Bajrami.
Në vazhdim, Gjyqtari Gashi përmendi se, sipas strategjisë së KGJK-së, janë përcaktuar prioritetet ligjore dhe afatet ligjore për trajtimin e rasteve të gazetarëve. Ai theksoi se, pavarësisht numrit të madh të lëndëve, rastet ku gazetarët janë të dëmtuar kanë prioritet, dhe kjo ka për qëllim dërgimin e një mesazhi të fortë për ata që sulmojnë gazetarët, duke siguruar një proces transparent në gjykata.
Thaqi përshkroi përvojën e saj personale si pjesë e grupit të gazetarëve më 16 qershor 2023, duke theksuar mungesën e përgjegjësisë për ata që ishin përgjegjës për sulmin. Pavarësisht intervistimit të një të dyshuari, rasti mbeti i pazgjidhur.
Duke reflektuar mbi incidentin, Dorentina ndau: “Një nga përvojat më të këqija që kam përjetuar, nuk kemi pasur më sulme pas atij incidenti, edhe pse rikthimi në atë vend ka qenë shumë i vështirë. E kam kaluar sfidën personale, ashtu siç e bënë edhe kolegët e mi. Pavarësisht periudhës disa-mujore gjatë së cilës udhëtuam çdo ditë në veri, duke përjetuar sulme verbale dhe dëmtim të makinave, ajo ditë përfshiu edhe dhunë fizike. Trajtimi i pasojave të ngjarjes më bëri të reflektoj edhe si gazetare”.
Zariqi ndau përvojën e tij gjatë raportimeve të majit dhe qershorit 2023, duke theksuar mungesën e mbrojtjes nga institucionet të sigurisë dhe rrezikun e përjetuar nga gazetarët gjatë atyre ditëve. “Ne ishim të ekspozuar nga grupe të ndryshme dhe nuk kishim mbrojtje nga askush, përkundrazi, sulmoheshim me gurë dhe fyerje të ndryshme. Pavarësisht këtyre kërcënimeve, unë vazhdova të xhiroja, sepse ky ishte i vetmi dokument që mund të dëshmoja sulmin që mu bë”, tha ai.
Zariqi gjithashtu nënvizoi se, pas sulmit ndaj tij, ai mori inkurajim dhe mbështetje nga AGK-ja, mediumi ku punon, e po ashtu edhe nga Prokuroria dhe Gjykata që e kanë trajtuar çështjen si prioritet. Pas një beteje dyvjeçare ligjore, ai arriti të dëshmojë dhe të sigurojë dënimin e personit përgjegjës për sulmin ndaj tij, Dalibor Spasiq, i cili më vonë u dënua nga Gjykata e Mitrovicës.
Zekaj theksoi rëndësinë e trajtimit efikas të rasteve të gazetarëve, duke vlerësuar përpjekjet e Prokurorisë për t’i dhënë prioritet këtyre rasteve në strategjinë e saj. “Sistemi i drejtësisë është shumë më efikas tani sesa ka qenë, por nuk mjafton që Prokuroria t’i trajtojë rastet brenda afateve ligjore. Kjo mund të jetë dekurajuese për gazetarët. Po ashtu, kur flasim për gazetarët, nuk po flasim vetëm për individë të thjeshtë; nuk është inkurajuese kur duhen 4-5 vite për të hetuar një rast. Çështja bëhet edhe më serioze kur ka padi SLAPP, të cilat kanë formën e padisë, por shpesh nuk kanë përmbajtje dhe shkojnë në drejtim të shpifjeve,” tha ai. Zekaj gjithashtu theksoi se gazetarët duhet të inkurajohen të raportojnë për çdo rast kur iu shkelet e drejta apo sulmohen, dhe se Policia e Kosovës duhet të jetë më aktive në trajnimin e rasteve individuale për të vlerësuar seriozitetin e kërcënimeve që gazetarët përballen çdo ditë.
Konferenca përfundoi me një thirrje për mbrojtje më të fortë ligjore, llogaridhënie institucionale dhe reforma sistemike, duke siguruar kështu një mjedis më të sigurt dhe të barabartë për gazetarët në Kosovë.
AGK-ja mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e gazetarëve dhe promovimin e barazisë gjinore në sektorin e medias, si dhe në sigurimin që liria e shprehjes të respektohet si një e drejtë themelore.