
Rrjeti SafeJournalists dënon ashpër incidentet e fyerjeve verbale, kërcënimeve dhe agresionit fizik ndaj gazetarëve nga anëtarë dhe mbështetës të Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD), në vijim të zgjedhjeve të përgjithshme të 11 majit 2025.
Më 12 maj, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, iu përgjigj me një shprehje vulgare një pyetjeje legjitime të gazetares Esiona Konomi nga Report TV, duke shmangur përmbajtjen e pyetjes dhe duke përdorur gjuhë fyese ndaj medias ku ajo punon. Më 14 maj, i pyetur sërish nga gazetarët jashtë selisë së PD-së lidhur me humbjen elektorale të partisë, Noka përdori përsëri retorikë fyese, duke akuzuar gazetarët se kanë bërë fushatë për partinë në pushtet dhe duke iu drejtuar gazetares Daniela Maloku me fjalët: “Të dua shumë, por media juaj është… s’po e them prapë,” duke përsëritur një fyerje të mëparshme.
Këto veprime kulmuan gjatë protestës së Partisë Demokratike të mbajtur më 16 maj në Tiranë, e organizuar për të denoncuar atë që PD e konsideron manipulim elektoral dhe e cila përkoi me Samitin e Komunitetit Politik Evropian që po zhvillohej në Tiranë. Gjatë transmetimeve direkte të protestës, gazetarët që përpiqeshin të intervistonin zyrtarë të PD-së dhe protestues u përballën me fyerje të vazhdueshme verbale, kërcënime dhe ndërhyrje fizike që kufizuan mundësinë e tyre për të raportuar lirshëm dhe për të informuar publikun.
Deputeti Edi Paloka u përball fizikisht me gazetaren Sara Demushi nga Euronews Albania, duke i kapur me forcë akreditimin zyrtar të samitit dhe duke i thënë me përçmim: “Ke yllin e Edi Ramës në gjoks.” Akreditimi ishte në fakt dokument zyrtar i lëshuar për gazetarët që mbulonin Samitin e Komunitetit Politik Evropian në Tiranë. Ai i kërkoi gazetares të largohej, ndërsa mbështetës të PD-së u vendosën përpara kamerës për të bllokuar xhirimet dhe vazhduan me fyerje ndaj saj. Zyrtarët e tjerë të PD-së, Aldo Bumçi dhe Klevis Balliu, përdorën taktika të ngjashme, duke refuzuar të përgjigjen dhe duke ushtruar presion mbi gazetarët që të largoheshin dhe të ndalonin filmimet. Ndërkohë, Flamur Noka, kur u pyet nga gazetari Anesti Barjamemaj i A2 CNN mbi përgjegjësinë elektorale dhe drejtimin e PD-së, u përgjigj me përçmim: “Për ju që merrni urdhra nga Fuga…”, duke nënkuptuar se gazetarët po vepronin në shërbim të qeverisë dhe duke refuzuar të përgjigjej drejtpërdrejt, çka e përshkallëzoi më tej tensionin mes protestuesve dhe përfaqësuesve të medias.
Gazetarë të tjerë që u penguan drejtpërdrejt gjatë punës së tyre ishin Arestina Skënderi dhe Anesti Barjamemaj (A2 CNN), Daniela Maloku (Report TV), Esido Barkaj (Vizion Plus TV), Besar Bajraktaraj (Klan TV), si dhe ekipet e tyre. Protestuesit u filmuan duke bllokuar kamerat, duke bërtitur fyerje dhe duke rrethuar fizikisht ekipet mediatike. Gazetarët e Euronews Albania u tërhoqën nga vendi i protestës për arsye sigurie.
Këto episode përbëjnë sulme të drejtpërdrejta ndaj gazetarëve që kryejnë detyrën profesionale për të informuar publikun. Kur politikanë të nivelit të lartë ofendojnë dhe poshtërojnë publikisht gazetarët, shpesh me gjuhë të ngarkuar gjinore dhe patronizuese, ata normalizojnë armiqësinë dhe krijojnë kushte të pasigurta pune, veçanërisht për gazetaret gra. Agresioni fizik gjatë protestës së 16 majit, përfshirë kapjen e akreditimit, intimidimin nga turma dhe bllokimin e kamerave, dëshmon më tej rrezikun me të cilin përballen gazetarët gjatë mbulimit të protestave dhe proceseve zgjedhore.
Rrjeti SafeJournalists i bën thirrje Partisë Demokratike të Shqipërisë të kërkojë ndjesë zyrtarisht ndaj gazetarëve të sulmuar. Gjithashtu, u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë në Shqipëri të komunikojnë me gazetarët në mënyrë të respektueshme, transparente dhe të përgjegjshme, duke ruajtur standardet e diskursit demokratik dhe duke garantuar të drejtën e gazetarëve për të raportuar lirshëm dhe të sigurt. U bëjmë thirrje gjithashtu organizatave mediatike që të vendosin si prioritet sigurinë dhe mbrojtjen e gazetarëve dhe ekipeve të tyre në terren.
Shprehim solidaritet të plotë me Sara Demushi, Esiona Konomi, Daniela Maloku, Arestina Skënderi, Anesti Barjamemaj, Esido Barkaj, Besar Bajraktaraj dhe të gjithë gazetarët dhe punonjësit e medias që u përballën me fyerje, kërcënime dhe agresion gjatë ushtrimit të detyrës së tyre profesionale.
Rrjeti SafeJournalists do të informojë aktorët kombëtarë dhe ndërkombëtarë mbi këto zhvillime shqetësuese dhe do të vijojë të monitorojë nga afër situatën.
Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut.
Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 17 maj 2025
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata e Gazetarëve të Bosnjë dhe Hercegovinës
Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë
Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë
Sindikata e Mediave të Malit të Zi