PRISHTINË, 26.10.2019 – Linçimi publik i bërë nga zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Hysen Durmishi, ndaj drejtorit të televizionit Klan Kosova, Baton Haxhiu, dhe ndaj kryeredaktorit të gazetës online Insajderi, Vehbi Kajtazi, për AGK është shqetësues dhe i papranueshëm.
Përmes një shkrimi në Facebook, Durmishi, ndër të tjerë, ka kërkuar arrestimin e dy gazetarëve.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka pranuar me shqetësim të thellë këtë lloj kërcënimi, meqenëse është hera e tretë që reagon ndaj gjuhës së anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje drejtuar gazetarëve.
AGK fton këtë subjekt politik të distancohet nga kjo qasje e patoleruar ndaj kolegëve tanë dhe i bëjmë thirrje z. Hysen Durmishit që të tërheq fjalët e tij dhe të kërkoj falje publike.