AGK dënon kërcënimin me vrasje ndaj ekipit të Insajderit nga drejtori i kompanisë “Euro Ida”

AGK dënon kërcënimin me vrasje ndaj ekipit të Insajderit nga drejtori i kompanisë “Euro Ida”

Prishtinë, 20.03.2018 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dënon kërcënimin me jetë ndaj ekipit të gazetës online “Insajderi” nga pronari i një kompanie vendore që së fundmi ishte e përfshirë në një skandal me mish të skaduar.

Kur publikut kosovarë iu bë e ditur për skandalin me mishin e vjetër të importuar, Gazeta Online “Insajderi”, kishte publikuar se kompania “Euro Ida” nga Rahoveci ka importuar mish nga kompania belge “Veviba”.

Pas publikimit të këtij artikulli, pronari i kompanisë “Euro Ida”, Anton Jupa, ka thirrur në redaksinë e Insajderit, me ç’rast e ka kërcënuar me vrasje ekipin e saj, bënë të ditur Insajderi.

“Problemet serioze janë shumë! Shumë serioze! A me ditë qaj personi që u kon i pari, pasha natën e babës që ka dekë e ai ka bo vetëvrasje, s’ka me e myt, vetëm kam me e copëtu me sakicë, kam me e coptu edhe me masakru. Maje në mend qa po thom unë”, ishin fjalët të cilat i kishte thënë Jupa ekipit të redaksisë së gazetës Insajder.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kërkon nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria që ta trajtojnë dhe hetojnë me seriozitet këtë rast, dhe kërcënuesi të sillet para drejtësisë.

Kujtojmë se raste të tilla ndaj Gazetës Online Insajder ka pasur edhe në të kaluarën, ku udhëheqësit e këtij mediumi kanë qenë cak i kërcënimeve dhe sulmeve të ndryshme për shkak të shkrimeve hulumtuese.

AGK ju bënë thirrje institucioneve gjegjëse që t’i trajtojnë me prioritet, rastet e gazetarëve dhe mediumeve të cilët kanë qenë objekt kërcënimeve dhe sulmeve të ndryshme.