PRISHTINË, 03.02.2021 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar Demokratik – NDI, ka mbajtur punëtorinë online, “Gazetarët dhe Integriteti i Informacionit: Si t’i luftojmë dezinformatat gjatë procesit zgjedhor?”, të mbështetur nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në Kosovë.
Mbi 30 gazetarë të medieve qendrore dhe atyre lokale u trajnuan nga trajneri i gazetarisë dhe konsulet për Fondacionin Thomson Reuters, Rex Merrifield dhe Këshilltarja e Lartë për Zgjedhje dhe Proceset Politike në NDI, Julia Brothers.
Hapjen e kësaj punëtorie e bëri Ambasadorja Nancy Soderberg – Drejtore e lartë rezidente e NDI-së në Kosovë, e cila u shpreh e lumtur për fillimin e bashkëpunimit me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës.
“Jemi të nderuar që po e mbajmë këtë punëtori me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës. Demokracia e Kosovës është e varur nga integriteti e informacionit, një faktor kritik në mundësinë e qytetarëve që të diskutojnë idetë për politikë dhe aferat publike, në një mënyrë të saktë dhe të kërkojnë llogaridhënie nga qeveria në bazë të informacioneve të sakta”, tha Soderberg.
Përmes diskutimit me gazetarë, të udhëhequr nga Gentiana Begolli Pustina, kryetare e bordit të AGK-së, u synua të zgjerohen njohuritë lidhur me çrregullimet e shpërndarjes së informacionit si dhe praktikat më të mira për t’i luftuar këto dukuri.
Folësit dhe pjesëmarrësit e këtij diskutimi vlerësuan se Kosova ka nevojë për një përpjekje të përbashkët për të parandaluar dezinformimin, keqinformimin dhe ndikimin e tyre degradues në diskursin demokratik të Kosovës.
Gjithashtu, gjatë kësaj punëtorie para kolegëve tanë gazetarë u prezantuan edhe gjetjet kryesore nga monitorimi i medieve online dhe atyre sociale realizuar nga NDI në periudhën mars 2020 – nëntor 2020.