AGK-ja dënon fuqishëm fushatën linçuese kundër gazetarëve të Nacionales në Prizren

AGK-ja dënon fuqishëm fushatën linçuese kundër gazetarëve të Nacionales në Prizren

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është thellësisht i shqetësuar me fushatën linçuese kundër portalit online “Nacionale” dhe gazetarëve të saj.

Në një pankartë të vendosur në qytetin e Prizrenit, ku shihen fotografitë e gazetarëve, Vullnet Krasniqi e Berat Buzhala, thuhet “Drejtësi për popullin, dënim për përqarësit. Bojkoto Nacionale. Liria e shprehjes merr fund tek ofendimi”.

Për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, një veprim i tillë është krejtësisht i papranueshëm dhe i vë në cak të sulmeve si online ashtu edhe fizike, gazetarët dhe familjarët e tyre.

AGK-ja, e fton Policinë e Kosovës dhe organet e rendit që të bëjnë punën e tyre për largimin e pankartave, dhe hetimin e veprimit që përmban gjuhë të urrejtjes dhe nxitjes. AGK-ja, njëherësh bën thirrje që fushatat e tilla denigruese të ndalen, në mënyrë që gazetarët dhe mediet të kenë mundësi të ushtrojnë profesionin e tyre pa u penguar.