AGK-ja dënon gjuhën linçuese të Faruk Mujkës kundër gazetares së KTV-së, Mimoza Koprani Muçaj

AGK-ja dënon gjuhën linçuese të Faruk Mujkës kundër gazetares së KTV-së, Mimoza Koprani Muçaj

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e dënon sulmin që kryeshefi ekzekutiv i “Ibër Lepencit”, Faruk Mujka ka bërë kundër gazetares, Mimoza Koprani Muçaj, autore e emisionit Konfront në KTV.

Duke reaguar për pyejtet e gazetares në intervistë me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Mujka mes tjerash e ka quajtur zhvillimin e pyetjeve si diçka “skajshmërisht e poshtër dhe keqpërdorim ekstrem i mediumit publik me qëllim të përhapjes së gënjeshtrave dhe denigrimin e personave që ju pengojnë qëllimeve të tyre, pra qëllimeve të grupit të Stanishiqit”.

Ish-zyrtari i Vetëvendosjes e ka krahasuar televizionin KTV me Sputnikun dhe Russia Today, makina propaganduese të regjimit të Putinit.

AGK-ja konsideron se kjo është një gjuhë e papranueshme dhe shumë e rrezikshme ndaj gazetares dhe mediumit ku punon ajo.

Mujka dhe zyrtarë të tjerë publikë duhet të ballafaqohen me të gjitha pyetjet që ngriten për interesin e publikut dhe të ndalojnë së përdoruri gjuhë denigruese.