AGK-ja dënon presionin ndaj gazetarit Berat Buzhala pas publikimit të audio-incizimeve

AGK-ja dënon presionin ndaj gazetarit Berat Buzhala pas publikimit të audio-incizimeve

Deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci, e ka publikuar sonte një dokument të brendshëm të Administratës Tatimore të Kosovës me subjekt gazetarin dhe pronarin e portalit “Nacionale”, Berat Buzhala, me të cilin e akuzon atë për shmangie tatimi në vlerë prej 71 mijë Euro.

Buzhala e ka publikuar një vendim të Gjykatës Komerciale të Kosovës për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit deri në vendosjen e këtij kontesti tregtar-administrativ me vendim përfundimtar të gjykatës.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e sheh shumë shqetësues faktin që një dokument i tillë i ATK-së, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Financave të Qeverisë së Kosovës, është në posedim dhe publikohet nga një deputet i Kuvendit të Kosovës.

AGK-ja, e sheh këtë si presion direkt me qëllim frikësimi dhe hakmarrjeje të partisë në pushtet, ndaj z. Buzhala dhe Nacionales, pas publikimit të serisë së audio-incizimeve të zonjës Mimoza Kusari Lila – Shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, me ish-deputetin e Listës Srpska, Slavko Simiq.