AGK-ja, e shqetësuar me situatën e gazetares Behare Bajraktari në Radio Kosova

AGK-ja, e shqetësuar me situatën e gazetares Behare Bajraktari në Radio Kosova

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, e ka pranuar me shqetësim denoncimin që gazetarja e Radio Kosovës, Behare Bajraktari, ka bërë në një njoftim për organizatën rreth situatës së saj të punës në radion publike.

Bajraktari ka shkruar se asaj këtë javë i janë larguar sendet personale dhe të punës nga zyra ku ka punuar, pak kohë pas ndërprerjes së emisionit në Radio Kosova.

Menaxhmenti i Radios, ka pohuar se gazetarja është njoftuar me kohë për rilokimin, dhe se emisioni ka ndryshuar përmbajtje si pjesë e skemës së re programore.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës fton Menaxhmentin që ta menaxhojë situatën duke ndjekur rregulloret e brendshme të RTK-së, dhe duke respektuar punën dhe kontributin gati dy dekadash të gazetares Bajraktari në Transmetuesin Publik.