Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është alarmuar me vendimin e Komisionit të Ankesave pranë MINT për të refuzuar ankesën e televizionit Klan Kosova, duke lënë kështu në fuqi vendimin për pezullimin e certifikatës së biznesit të këtij mediumi.
Me këtë vendim, ministrja Rozeta Hajdari e cila është pjesë e Qeverisë Kurti ka finalizuar të gjitha veprimet administrative të nevojshme për të mbyllur televizionin Klan Kosova. Ndonëse vendimi mund të apelohet në gjykatë, ky vendim duhet të kuptohet si vendim i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryeministrit Kurti për të mbyllur një medium për herë të parë që nga përfundimi i luftës në Kosovë.
AGK-ja, beson se ky proces që nga fillimi ka qenë i motivuar politikisht nga partia në pushtet dhe Qeveria e Kryeministrit Kurti, në përpjekje për të mbyllur televizionin më të madh privat në vend. Vendimi i sotëm i ministrisë së udhëhequr nga ministrja Hajdari konfirmon luftën e hapur dhe të paprecedent të kësaj qeverie, kundër medieve, si paralajmërim që edhe të tjera medie do të jenë cak i sulmeve.
AGK-ja, e inkurajon Klan Kosovën që ta vazhdojë betejën në gjykatë dhe shprehë besimin që gjykata nuk do të lejojë mbylljen e një mediumi në Kosovë.
Vendimi i sotëm politik i Qeverisë Kurti është goditja më e rëndë që i bëhet lirisë së medies në Kosovë që prej kohës së luftës.