AGK, NDI dhe USAID organizojnë vizitë studimore për pjesëmarrësit e Akademisë së Gazetarëve për Integritetin e Informacionit

AGK, NDI dhe USAID organizojnë vizitë studimore për pjesëmarrësit e Akademisë së Gazetarëve për Integritetin e Informacionit
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, me mbështetjen e Institutit Kombëtar Demokratik – NDI dhe USAID në Kosovë, më 27 dhe 28 maj kanë organizuar vizitë studimore në Shkup të Maqedonisë së Veriut në kuadër të Akademisë së Gazetarëve për Integritetin e Informacionit.
Studentë të gazetarisë e gazetarë të mediave lokale dhe qendrore kanë takuar kolegët gazetarë nga Maqedonia e Veriut ku ka kanë shkëmbyer përvojat e tyre për verifikimin e informacioneve, praktikave dhe metodave më efikase për parandalimin e përhapjes së informatave të gabuara, si dhe luftimin e tyre.
Takimi i parë i pjesëmarrësve të akademisë u bë me kolegët e Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, ku së bashku me Dragan Sekulovskin – Drejtor Ekzekutiv, Xhemajl Rexha – Kryetar i Bordit të AGK-së, si dhe Adea Beqaj – Zyrtare e Programit në NDI, u diskutua për punën e SHGM-së, si dhe mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve në Maqedoninë e Veriut.
Kolegët gazetarë u takuan edhe me menaxhmentin e Fondacionit Metamorfozis dhe një pjesë të kuadrit redaktues të Portalb, Meta dhe Vistinomer, me ç’rast kanë shkëmbyer përvoja për luftimin e dezinformatave dhe verifikimin e lajmeve.
Në takim është biseduar për gjendjen e mediave në të dy vendet, kanë këmbyer përvoja lidhur me punën e gazetarëve, me theks të veçantë për funksionimin e Vistinomer.mk, në pjesën e verifikimit të fakteve dhe luftës me dezinformatat në vend.
Gjithashtu, gazetarët pjesëmarrës në Akademinë e Gazetarëve për Integritetin e Informacionit, u takuan edhe me kolegët e televizionit Alsat M, ku u njoftuan nga afër me studiot, procesin e punës së mediumit, mënyrën se si realizohen intervistat, si dhe sfidat që ata përballen përgjatë ushtrimit të profesionit.
Akademia e Gazetarëve për Integritetin e Informacionit filloi nëntor të vitit 2021 me mbështetjen e dhënë nga NDI dhe USAID, ku përmes të cilës u ofruan një seri e trajnimeve dhe diskutimeve lidhur me integritetin e informacionit, profesionalizmin në gazetari dhe prezencën e dezinformimit, etikën gjatë raportimit me fokus të veçantë në portretizimin e grave në media dhe perspektivën ligjore të gazetarisë dhe mediave.