
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) po përballet me një fushatë të rrezikshme shpifjesh, së bashku me Kryetarin e Bordit të saj, Xhemajl Rexha, nga deputetë të partisë më të madhe politike (Vetëvendosjes), pas rënies drastike të Kosovës në Indeksin Botëror të Lirisë së Medias për vitin 2024, të publikuar nga Reporterët pa Kufij (RSF). Disa deputetë kanë aluduar se e dinë kush ka ofruar informacionin për RSF-në (duke aluduar në AGK-në).
Në vend të reflektimit të domosdoshëm pas rënies dramatike të Kosovës për 24 vende në Indeksin Global të Lirisë së Shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij (RSF), duke e renditur vendin tonë më keq se të gjitha vendet e rajonit dhe krahas shteteve me histori të rënduar të censurës dhe dhunës ndaj gazetarëve, vërehet tendencë e papranueshme e deputetëve të LVV-së për të fajësuar AGK-në dhe udhëheqësin e saj për këtë realitet.
Xhemajl Rexha, një gazetar me përvojë 20 vjeçare në gazetari dhe integritet të lartë profesional, prej katër vitesh është në ballë të përpjekjeve për mbrojtjen e gazetarëve dhe për fuqizimin e lirisë së medies dhe shprehjes në Kosovë.
Deputetja e zgjedhur Arbëresha Hyseni Kryeziu ka targetuar në mënyrë të papranueshme personale Rexhën, kurse deputetë të tjerë të zgjedhur si Valon Ramadani dhe Arjeta Fejza kanë targetuar organizatën.
Këto sulme paraqesin ë një përpjekje shumë shqetësuese për të heshtur dhe frikësuar një zë kryesor për lirinë e medias në vend.
Rrjeti SafeJournalists u bën thirrje përfaqësuesve të Vetëvendosjes që të ndalojnë menjëherë sulmet ndaj gazetarëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe të trajtojnë me seriozitet situatën gjithnjë e më të përkeqësuar të lirisë së medias në Kosovë. Liria e medias dhe mbrojtja e gazetarëve nuk janë çështje partiake—ato janë shtylla themelore të çdo shoqërie demokratike.
Rrjeti SafeJournalists qëndron në solidaritet me AGK-në, dhe drejtuesit e saj dhe do të vazhdojë ta monitorojë nga afër situatën.
Rrjeti SafeJournalists do të informojë aktorët përkatës kombëtarë dhe ndërkombëtarë.
Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.
Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 02.05.2025
Association of Journalists of Kosovo
Association of Journalists of Macedonia
BH Journalists Association
Croatian Journalists’ Association
Independent Journalists’ Association of Serbia
Trade Union of Media of Montenegro