
Deklaratë e përbashkët nga Rrjeti SafeJournalists, organizatat partnere të Media Freedom Rapid Response (MFRR) dhe Reporterët pa Kufij (RSF), duke përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, e cila rrëzoi vendimin e gjykatave të shkallëve te tjera që lejonin kontrollin dhe sekuestrimin e pajisjeve të gazetarit Elton Qyno, duke forcuar rëndësinë e mbrojtjes së burimeve gazetareske dhe lirisë së shprehjes në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Më 22 prill 2025, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë dha një vendim unanim 8-0 duke shfuqizuar një urdhër të gjykatave të shkallëve te tjera, e cila autorizonte kontrollin ndaj gazetarit Elton Qyno dhe sekuestrimin e pajisjeve të tij elektronike, si dhe urdhëroi që të gjitha të dhënat e nxjerra nga këto pajisje të shkatërrohen. Gjykata vendosi se këto masa përbënin një ndërhyrje joproporcionale ndaj lirisë së shprehjes dhe mbrojtjes së burimeve gazetareske, të drejta të garantuara nga neni 22 i Kushtetutës së Shqipërisë dhe neni 10 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Ne, organizatat nënshkruese, e mirëpresim këtë vendim. Në një letër të hapur të janarit 2024, ne paralajmëruam së bashku se detyrimi i z. Qyno për të zbuluar burimin e tij dhe konfiskimi i materialeve të tij të punës rrezikonte të minonte standardet e njohura ndërkombëtarisht dhe të pengonte raportimin hulumtues në Shqipëri. Tashmë, Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar se gazetarët nuk mund të detyrohen të zbulojnë burimet e tyre përveçse kur është në lojë një interes publik mbizotërues dhe kur nuk ekziston asnjë rrugë tjetër më pak ndërhyrëse. Vendimi i Gjykatës thekson nevojën për garanci të brendshme sa herë që hetimet prekin lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias.
Prandaj, ne inkurajojmë autoritetet kompetente që të zbatojnë menjëherë vendimin e Gjykatës duke i kthyer pajisjet z.Qyno dhe duke konfirmuar zyrtarisht fshirjen e të gjitha kopjeve të të dhënave të sekuestruara.
Në vijim, ndërsa organizatat tona mbështesin luftën kundër korrupsionit në Shqipëri dhe rolin që Zyra e Prokurorit të Posaçëm Kundër Korrupsionit luan këtu, ne ftojmë SPAK-un, gjyqësorin dhe autoritetet kompetente të zbatimit të ligjit që të trajtojnë çështjet që përfshijnë gazetarë, mbikëqyrës publikë dhe media në përputhje me standardet e përcaktuara nga jurisprudenca e Këshillit të Evropës dhe Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, e cila thekson mbrojtjen e burimeve gazetareske, lirinë e shprehjes dhe domosdoshmërinë e proporcionalitetit në çdo rast që lidhet me gazetarët dhe mbikëqyrësit publikë.
Organizatat tona do të vazhdojnë të monitorojnë zbatimin e vendimit të Gjykatës dhe të mbështesin gazetarët shqiptarë në mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Nënshkruesit:
Rrjeti SafeJournalists
Shoqata e Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata e Gazetarëve të BH
Shoqata e Gazetarëve Kroatë
Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë
Sindikata e Medias së Malit të Zi
Partnerët e Media Freedom Rapid Response
Osservatorio Balcani Caucaso Transeuropa (OBCT)
Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ)
Qendra Evropiane për Shtypin dhe Lirinë e Medias (ECPMF)
Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI)
Free Press Unlimited (FPU)
Article 19
Reporterët pa Kufij (RSF)