
Media Freedom Rapid Response (MFRR) dhe Rrjeti SafeJournalists (SJN) shprehin sot shqetësimin e thellë për një sërë incidentesh frikësimi dhe pengesash ndaj gazetarëve që kanë mbuluar zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. Që prej zgjedhjeve të mbajtura më 11 maj, të paktën 20 gazetarë dhe media janë përballur me ndërhyrje dhe presion në punën e tyre, përfshirë edhe nga zyrtarë publikë. Të gjitha incidentet janë dokumentuar në video të shumta.
Gjatë ditës së votimit, të paktën pesë gazetarë janë përballur me ngjarje shqetësuese në zona të ndryshme të vendit, përfshirë fyerje verbale, agresion fizik dhe pengim në kryerjen e detyrës. Incidentet e dokumentuara nga MFRR dhe SJN përfshijnë: sulmin fizik ndaj gazetarit Armando Rabi në Gjirokastër; detyrimin për të fshirë materialet e regjistruara nga telefoni i gazetares Erisa Xhindole në Pogradec; si dhe një përplasje të dhunshme ndaj gazetares së Syri TV, Ambrozia Meta, dhe ekipit të saj nga deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, gjatë një transmetimi live nga një zyrë zgjedhore jozyrtare në Tiranë.
Gazetarët janë përballur gjithashtu me kufizime arbitrare nga personeli i qendrave të votimit, në kundërshtim me Kodin Zgjedhor të Shqipërisë. Vëzhgues të akredituar të mediave në Durrës janë penguar të dokumentojnë procesin e votimit, ndërsa në Sarandë, gazetari i Euronews Albania, Enriko Gaba, është kufizuar në vetëm 15 minuta filmim, sërish në kundërshtim me rregullat zyrtare që lejojnë akses për përfaqësuesit e medias. Gaba ishte penguar gjithashtu nga zyrtarë të zgjedhur gjatë zgjedhjeve vendore në gusht 2024.
Në kontekstin e zgjedhjeve, zyrtarët publikë kanë një detyrim të veçantë për të garantuar një proces zgjedhor transparent, duke u mundësuar gazetarëve mbikëqyrjen pa pengesa të fushatave, procedurave të votimit dhe numërimit të votave. Këto incidente ngrejnë shqetësime serioze për gjendjen e lirisë së shtypit dhe për rrjedhën e lirë të informacionit në Shqipëri, me autoritetet që nuk arrijnë të sigurojnë një mjedis të përshtatshëm për raportim të drejtë, të balancuar dhe transparent gjatë procesit zgjedhor.
Pas shpalljes së rezultateve, janë raportuar incidente të tjera që përfshijnë zyrtarë të Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD). Janë dokumentuar të paktën 10 raste fyerjesh verbale ndaj gazetarëve gjatë raportimit mbi humbjen e kësaj force politike. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, ka diskredituar dhe refuzuar në mënyrë të përsëritur pyetjet e gazetarëve të Report TV dhe A2 CNN. Gjatë protestës së organizuar nga PD më 16 maj për të denoncuar gjoja manipulimin e zgjedhjeve, gazetares së Euronews, Sara Demushi, iu kap me forcë badge-i për Samitin e Komunitetit Politik Evropian nga zyrtari i PD-së, Edi Paloka. Kjo përplasje fizike, së bashku me fyerje dhe pengesa për filmim nga zyrtarë të tjerë të partisë, shtuan klimën armiqësore ndaj mediave në protestë, duke detyruar disa gazetarë, përfshirë Demushin, të largohen për arsye sigurie.
Për këtë arsye, MFRR dhe SJN u bëjnë thirrje autoriteteve shqiptare të sigurojnë hetime të shpejta, të plota dhe të pavarura për çdo rast të raportuar dhune, frikësimi dhe pengimi ndaj gazetarëve, qoftë nga zyrtarë publikë apo individë privatë.
Në vijim të zgjedhjeve, MFRR dhe SJN i bëjnë thirrje qeverisë së rizgjedhur të Partisë Socialiste të ndërmarrë hapa konkretë për të forcuar lirinë e shtypit në Shqipëri, dhe të gjitha forcave politike të përmbahen nga çdo ndërhyrje në punën e gazetarëve dhe të dënojnë publikisht çdo formë armiqësie ndaj medias.
Nënshkruar nga:
Media Freedom Rapid Response (MFRR)
European Federation of Journalists (EFJ)
Free Press Unlimited (FPU)
International Press Institute (IPI)
Osservatorio Balcani Caucaso Transeuropa (OBCT)
European Centre for Press and Media Freedom (ECPMF)
SafeJournalists Network (SJN)
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata e Gazetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës
Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë
Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë
Sindikata e Mediave të Malit të Zi