Organizatat ndërkombëtare për lirinë e mediave bëjnë thirrje që të zgjidhet çështja e certifikatës së Klan Kosovës

Organizatat ndërkombëtare për lirinë e mediave bëjnë thirrje që të zgjidhet çështja e certifikatës së Klan Kosovës
photo: canva

Organizatat ndërkombëtare për lirinë e mediave dhe grupet e gazetarëve bëjnë thirrje që certifikata e përditësuar e biznesit të Klan Kosovës të pranohet nga komisioni i ankesave dhe të ndërpriten menjëherë të gjitha përpjekjet e Weverisë së Kosovës për t’i bërë presion transmetuesit.

Thirrja e fundit e përbashkët e organizatave tona vjen pas vendimit të paprecedentë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, të marrë më 14 qershor 2023, për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosova Sh.PK, dhe ngritjen e kallëzimeve penale kundër përfaqësuesve të saj.

Ndonëse ne e njohim kërkesën që autoritetet e Kosovës të zbatojnë detyrimet ligjore në lidhje me regjistrimin e biznesit, kjo nuk mund të përdoret për të justifikuar mbylljen e një prej transmetuesve më të mëdhenj kombëtarë privatë në vend – një hap jashtëzakonisht serioz që duhet të ndërmerret vetëm në rrethana të jashtëzakonshme dhe në përputhje të plotë me ligjin.

Prandaj, organizatat tona mirëpresin hapin e ndërmarrë më 16 qershor nga ana e rregullatorit të medias në vend, Komisioni i Pavarur për Media (KPM), për shtyrjen e çdo vendimi për licencën e transmetimit të Klan Kosovës për një muaj për të lënë kohë për gjetjen e një zgjidhjeje të arsyeshme.

Që atëherë, së bashku me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK), vërejmë se Klan Kosova ka mbledhur dokumentacionin e nevojshëm dhe ka dërguar një certifikatë të përditësuar të biznesit të lëshuar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës.

Më 29 qershor, media e apeloi vendimin e pezullimit pranë Komisionit të Ministrisë për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve. Ky komision, përbërja e të cilit do të vendoset nga vetë Ministria, ka afat deri më 14 korrik 2023 për të marrë vendim për ankesën.

Përpara këtij procesi, i bëjmë thirrje Ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, të sigurojë që komisioni i ri të përbëhet nga individë të pavarur, me përvojë dhe profesionistë, dhe të merret një vendim në kohë dhe plotësisht transparente. .

Shpresojmë që Komisioni i Ministrisë të pranojë ankesën e Klan Kosovës dhe të shfuqizojë menjëherë pezullimin e certifikatës së biznesit. Një gjë e tillë do të ofronte garanci për veprimtarinë e Klan Kosovës brenda vendit në të ardhmen, dhe do të siguronte që progresi pozitiv i bërë në zhvillimin e lirisë së mediave në Kosovë gjatë viteve të fundit të mos dëmtohet seriozisht.

Gjithashtu, duke i ripërsëritur thirrjet e bëra nga përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare në Kosovë që kjo çështje të trajtohet me respekt maksimal për angazhimet ndërkombëtare për lirinë e medias dhe në përputhje të plotë me procesin e duhur dhe sundimin e ligjit. Organizatat tona do të vazhdojnë ta ndjekin këtë çështje nga afër dhe do t’i përgjigjen të gjitha zhvillimeve të mëtejshme.

Nënshkruar nga:

Article 19

European Centre for Press and Media Freedom (ECPMF)

European Federation of Journalists (EFJ)

Free Press Unlimited (FPU)

International Federation of Journalists (IFJ)

OBC Transeuropa (OBCT)

Reporters Without Borders

SafeJournalists Network