Rrjeti SafeJournalists fuqishëm dënon sulmin fizik në drejtim të gazetarit Visar Duriqi në Prishtinë.
Në mesnatën e 25.02.2021, Visar Duriqi, teksa po kthehej në shtëpi, u sulmua fizikisht nga tre persona të maskuar. Atij ia thyen dhëmbët, ndërsa ka pësuar lëndime edhe në hundë. Duriqi ka pranuar trajtim në QKUK, nga ku është liruar më pas.
Visar Duriqi mbulon tema të cilat kanë të bëjnë me ekstremizmin fetar dhe grupet radikale në Kosovë. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, ka reaguar më 2014 për disa kërcënime me vdekje të cilat i ka pranuar Duriqi në vazhdimësi (në kohën kur ka qenë duke punuar për Gazetën Express). Në portalin Insajderi ai është gazetar hulumtues dhe autori i ciklit të dokumentarëve InDoks ku gjithashtu mbulohen temat e lartpërmendura, por gjithashtu edhe temat si korrupsioni e aferat korruptive dhe tema të tjera të ndjeshme. Në një intervistë të tijën në vitin 2019 ai ka thënë se këto kërcënime verbale ende vazhdojnë dhe se të gjitha janë të lidhura me temat të cilat i trajton për grupet radikale. Disa nga këta persona janë burgosur apo edhe dënuar nga gjykata.
Kryetarja e Bordit të AGK-së, Gentiana Begolli Pustina, ka thënë se sulmi fizik në drejtim të gazetarit Visar Duriqi është ndër rastet më të rënda në drejtim të gazetarëve.
“Është e papranueshme, si dhe shqetësuese se si këto raste po zënë të shpeshtohen. Ne konsiderojmë se ky sulm nuk e prekë vetëm komunitetin tonë dhe lirinë e shprehjes, por gjithashtu trazon edhe klimën e të bërit gazetari në një shoqëri demokratike. Ne i inkurajojmë kolegët tanë që të mos lejojnë që sulme të tilla qyqare t’i heshtin ata”, ka thënë ajo.
Rrjeti SafeJournalists i cili përfaqëson mëse 8,200 profesionistë medial në Ballkanin Perëndimor i bashkohet anëtarit të vetë, AGK-së, në dënimin e këtij sulmi tinëzar dhe të tmerrshëm.
Iu bëjmë thirrje të gjitha autoriteteve që ta zgjidhin këtë rast sa më shpejtë dhe kryesit të marrin dënimin e merituar.
Ne do t’i njoftojmë të gjithë akterët relevant kombëtarë dhe ndërkombëtarë në lidhje me rastin.
Secili sulm në gazetarë është sulm mbi interesin publik, demokracinë dhe të drejtat e qytetarëve.
Beogradi – Podgorica – Prishtina – Sarajeva – Shkupi – Zagrebi, 25.02.2021
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë
Asociacioni i Gazetarëve të BH
Asociacioni i Gazetarëve Kroat
Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur të Serbisë
Sindikata e Medieve të Malit të Zi