Platforma Rajonale e Ballkanit Perëndimor për Mbrojtjen e Lirisë së Medias dhe Sigurinë e Gazetarëve e cila përfaqëson më shumë se 8.200 anëtarë, dënon fuqishëm arrestimin nga Policia e Kosovës të Tatjana Lazarevic, gazetare dhe redaktore në portalin Kossev.
Të shtunën, më 11 Prill 2020, duke përmendur vendimin e Qeverisë së Kosovës në lidhje me kufizimet e lëvizjes pas orës 12:00 por të cilat nuk vlejnë për gazetarët gjatë kryerjes së detyrës dhe pavarësisht se u janë treguar dy ID-t e mediumit, policia e dërgoi Lazarevicin në stacion policor, ku u mor në pyetje dhe më pas u lirua. Përmes një deklarate të dhënë për Platformën Rajonale, Tatjana Lazareviç konfirmoi ndalesën dhe shpjegoi se ajo ishte duke shkuar në Qendrën Shëndetësore Zvecan, ashtu siç bën zakonisht, për të shkruar një artikull.
– Makinat e policisë mu afruan pranë tri herë ngadalë para se njëra të ndalonte. Megjithatë, është një qytet i vogël dhe ne të gjithë e njohim njëri-tjetrin. Unë paraqita dy nga kartat e mia të mediumit, siç kisha vepruar më parë. Por këtë herë, policia vendosi të më ndalojë pavarësisht faktit se unë nuk kam shkelur asnjë nga masat shëndetësore të paraqitura – tha Tatjana Lazarevic – Ajo që më shqetëson është se një gazetar i mediave online më kontaktoi për të verifikuar nëse kishte ndodhur ashtu ngjarja.
Kossev njoftoi se fotot e diskutimit të Lazareviçit me policinë u publikuan pas pak në të njëjtin medium online. Lazareviç pretendon se askush nuk kishte qenë në rrugë përveç asaj dhe policisë që do të thotë se fotografi ishte fshehur. Kjo shton dyshimin e Kossevit se, incidenti është presion i radhës mbi këtë portal. Para disa ditësh, Kossev u kritikua për transmetimin e drejtpërdrejtë të konferencës për shtyp në lidhje me pandeminë COVID-19, si dhe u ankua se po diskriminohet dhe nuk po informohet për kohën dhe vendin e konferencave.
-Pengimi i gazetarëve në kryerjen e detyrave të tyre nëpërmjet ndalesave arbitrare të policisë dhe mos lejimi i pjesëmarrjes në ngjarjet publike, përbëjnë presion, jo vetëm mbi punën e tyre, por edhe mbi lirinë e shprehjes dhe të drejtën për t’u informuar. Kjo është gjithashtu në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut – tha Kryetarja e Bordit të AJK-së, Gentiana Begolli Pustina – Nuk ka asnjë vendim apo masë që kufizon lëvizjen e gazetarëve gjatë periudhës së COVID-19 dhe AJK tashmë ka kërkuar shpjegime nga autoritetet kompetente në lidhje me këtë incident.
Platforma Rajonale e Ballkanit Perëndimor për Mbrojtjen e Lirisë së Medias dhe Sigurinë e Gazetarëve i bashkohet thirrjes së anëtarit të saj, AJK-s për të kërkuar sqarime të menjëhershme për incidentin dhe u bën thirrje autoriteteve të Kosovës të garantojnë të drejtën e gazetarëve për të punuar në kohën e pandemisë, përfshirë edhe hyrjen në të gjitha konferencat përkatëse për shtyp.
Në të njëjtën kohë, Platforma Rajonale u bën thirrje profesionistëve të mediave në Kosovë që të vazhdojnë aktivitetet e tyre dhe të ndjekin urdhëresat që kanë të bëjnë me sigurinë shëndetësore dhe lëvizjen e lirë. Gazetarët, kameramanët, fotoreporterët dhe punonjësit e mediave duhet të mbrohen në përputhje me rrethanat dhe gjatë tërë kohës të mbajnë me vete I.D. e tyre të punës.
Shkup – Beograd – Podgoricë – Prishtinë – Sarajevë – Zagreb, 12 Prill 2020
Asociacioni i Gazetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës
Sindikata e Mediave e Malit të Zi
Asociacioni i Gazetarëve Kroatë
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë
Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë