Rrjeti SafeJournalists i bashkohet thirrjes së organizatave të shoqërisë civile që punojnë në fushën e medias për t’i bërë thirrje qeverisë dhe Parlamentit për të mos miratuar një ligj shumë të diskutueshëm që përpiqet të kontrollojë mediat online pa reflektuar më parë rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Tre muaj pasi Komisioni i Venecias publikoi mendimin e tij në lidhje me ligjin e mediave online në Shqipëri, shoqëria civile dhe organizatat e pavarura të mediave kanë mësuar se qeveria shqiptare synon ta dërgojë atë në Parlamentin shqiptar për miratim pa reflektuar rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Ligji për mediat online, i njohur ndryshe si paketa anti-shpifje, përfshin ndryshime të 30 neneve të Ligjit aktual të Mediave Audio-vizuale, veçanërisht në lidhje me kompetencat e Autoritetit të Mediave Audio-vizuale (AMA) dhe 4 neneve të ligjit për “Komunikimet elektronike” (AKEP). Ai u miratua nga Parlamenti në Dhjetor 2019 pavarësisht se kundërshtohej gjerësisht nga BE, CoE, OSBE, gazetarë, organizata lokale dhe ndërkombëtare të mediave dhe eurodeputetë. Presidenti e ktheu ligjin në Parlament për rishqyrtim në Janar 2020 mbi bazën që shkel lirinë e shprehjes. Në fund të janarit, qeveria u tërhoq nga rivotimi i nismës dhe deklaroi se do të presë mendimin e Komisionit të Venecias.
Informacioni jozyrtar erdhi nga organizatat e shoqërisë civile që punojnë në fushën e medias, të cilat lëshuan një deklaratë të përbashkët duke i bërë thirrje Parlamentit shqiptar të Premten, 11 Shtator 2020, të mos vazhdojë me planet për të miratuar një ligj që rregullon mediat online bazuar në dekretin e Presidentit, por të filloj procesin nga e para për të pasqyruar plotësisht shqetësimet e ngritura nga Komisioni i Venecias.
Në opinionine botuar në qershor, Komisioni i Venecias shprehet se dhënia e kompetencave të zgjeruara për AMA shkel lirinë e medias. Ata gjithashtu thanë që media online duhet të ketë një proces të drejtë nga çdo vendim administrativ para gjykatës dhe sanksionet duhet të jenë në përpjesëtim. Komisioni deklaroi se “është e nevojshme të sigurohet që masat ligjore dhe gjyqësore janë efektive në luftën kundër shpifjes dhe gjuhës së urrejtjes”. Si përfundim, Komisioni i Venecias mbështeti idenë e “funksionimit me vetë-rregullim dhe respekt për sistemin e përgjegjësisë së mediave online”.
“Nëse Qeveria është vërtet e vendosur të miratojë paketën anti-shpifje ose ligjin e mediave online në seancën aktuale të Parlamentit, ajo lehtë mund ta bëjë këtë pasi nuk ka kundërshtim thelbësor në Parlamentin aktual me një parti. Kjo do të përkeqësojë edhe më shumë lirinë e medias në Shqipëri”- shprehet Blerjana Bino, eksperte e SafeJournalists. Ajo shton se “ndërsa është e rëndësishme të trajtohen çështjet e gjuhës së urrejtjes, shpifjes, dezinformimit dhe fenomeneve të tjera që lidhen zakonisht me mediat online, kjo duhet të bëhet duke u konsultuar me aktorë të rëndësishëm dhe me pjesëmarrjen kuptimplotë të shoqërisë civile dhe organizatave të medias. Vetë-rregullimi i medias është thelbësor ashtu sikurse edhe mbështetja për më shumë profesionalizëm dhe pavarësi të mediave”.
Rrjeti SafeJournalists që përfaqëson më shumë se 8 mijë e 200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor, është i shqetësuar nga përpjekja për të miratuar këto ndryshime që pengojnë më tej lirinë e medias në Shqipëri, e cila ka shënuar rënie në vitin 2019. Rrjeti SafeJournalists u kërkon deputetëve shqiptarë dhe Parlamentit shqiptar të mos ndjekin këtë plan, por të ketë një proces më të gjerë gjithëpërfshirës dhe pjesëmarrës për të reflektuar në ligjin e ri, rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Rrjeti SafeJournalists do të informojë palët përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare për këto raste.
Beograd – Podgorica – Prishtina– Sarajevë – Shkup – Zagreb, 15.09.2020
Asociacioni i Gazetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës
Sindikata e Mediave e Malit të Zi
Asociacioni i Gazetarëve Kroatë
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë
Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë