Partnerët e Reagimit të Shpejtë për Lirinë e Mediave (Media Freedom Rapid Response – MFRR) i bashkohen Rrjetit SafeJournalists (SJN), në shprehjen e shqetësimit serioz për zbulimet në analizën forenzike të Amnesty International, ku është ekspozuar përdorimi i spyware-ve dhe mjeteve të tjera dixhitale nga shërbimet e inteligjencës dhe policia serbe për të hakuar telefonët e gazetarëve si pjesë e një fushate të fshehtë mbikëqyrjeje. Këto zbulime shqetësuese vijnë në kohën e kërcënimeve të përshkallëzuara kundër gazetarëve në Serbi.
Në raportin “Një Burg Dixhital”: Mbikëqyrja dhe Shtypja e Shoqërisë Civile në Serbi”, publikuar më 16 dhjetor 2024, Amnesty International zbuloi se produktet e lëvizshme forenzike të prodhuara nga kompania izraelite Cellebrite po përdoreshin nga autoritetet serbe për të nxjerrë të dhëna nga telefonat e gazetarëve dhe aktivistëve, ndërsa spyware i ri serb, “NoviSpy”, ishte zhvilluar për të infektuar pajisjet dhe për të marrë informacione konfidenciale, duke përfshirë listat e kontakteve, të cilat më pas u ngarkuan në një server të kontrolluar nga qeveria.
Sipas Amnesty International, teknologjia Cellebrite, e përdorur gjerësisht nga policia dhe agjencitë e inteligjencës në mbarë botën për të zhbllokuar pajisjet dhe për të kërkuar prova, iu dha Serbisë në vitin 2019 si pjesë e një pakoje ndihme për të ndihmuar vendin të përmbushë kërkesat e integrimit në BE. Amnesty International kërkoi komente nga qeveria serbe përpara publikimit, por nuk ka marrë përgjigje.
Në mesin e dhjetëra dëshmive, të mbledhura me kontributin e BIRN-it, nga aktivistë dhe gazetarë, telefonat e të cilëve u hakuan gjatë ndalimeve dhe marrjes në pyetje nga policia serbe, është edhe rasti i Slavisha Milanov, gazetar i portalit FAR. Më 21 shkurt 2024, Milanov po udhëtonte për në qytetin e Pirotit, kur u arrestua dhe u dërgua në një stacion policor, me pretekstin e kryerjes së testit të alkomatografisë. Me hyrjen në stacionin policor, Milanov është urdhëruar të lërë telefonin dhe sendet personale në recepsionin e policisë. Pasi testi i tij për drogë rezultoi negativ, oficerët e policisë me rroba civile e dërguan atë në një stacion të dytë policor, ku u mor në pyetje me dyshimin se kishte transportuar persona të kërkuar përtej kufirit bullgar, gjë që Milanov e mohoi. Më pas gazetari u mor në pyetje për punën e tij.
“Pas lirimit të tij, Slavisha vuri re se telefoni i tij, të cilin e kishte lënë në recepsionin e stacionit policor gjatë marrjes në pyetje, dukej se ishte i manipuluar dhe të dhënat e tij të telefonit ishin fikur. Ai i kërkoi Laboratorit të Sigurisë së Amnesty International të kryente një analizë forenzike të telefonit të tij (…). Analiza zbuloi se produkti UFED i Cellebrite është përdorur për të zhbllokuar fshehurazi telefonin e Slavishës gjatë ndalimit të tij”, deklaroi Amnesty, përpara se të shtonte se provat shtesë forenzike konfirmuan se NoviSpy ishte përdorur gjithashtu nga autoritetet serbe për të infektuar telefonin e Milanov.
Ne u bëjmë thirrje autoriteteve serbe që të kryejnë një hetim të plotë, të paanshëm dhe të pavarur për përdorimin e dyshuar të spyware kundër gazetarëve, i cili është i ndaluar si vepër penale sipas Kodit Penal të Serbisë. Konsorciumi MFRR gjithashtu i bën thirrje qeverisë të forcojë mbrojtjen për lirinë e shprehjes, privatësinë dhe burimet e gazetarëve, siç garantohet me ligjin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut. Transparenca dhe mbikëqyrja e shërbimeve sekrete janë thelbësore për të parandaluar shkeljet e mëtejshme të të drejtave të gazetarëve.
Sipas Rekomandimit të BE-së të vitit 2023 për hetimin e përdorimit të Pegasus dhe softuerit ekuivalent të mbikëqyrjes, përdorimi i spyware nga forcat e zbatimit të ligjit duhet të autorizohet vetëm në raste të jashtëzakonshme, për një qëllim të paracaktuar dhe për një kohë të kufizuar. Të dhënat e gazetarëve duhet të mbrohen nga vëzhgimi nëse nuk ka prova për aktivitet kriminal.
Për më tepër, partnerët e MFRR dhe SafeJournalists i bëjnë jehonë thirrjes së Amnesty International drejtuar institucioneve kyçe të BE-së për t’i dhënë përparësi zhvillimit të një kuadri të BE-së që adreson kërcënimet ndaj të drejtave themelore të paraqitura nga spyware të zbatueshëm edhe për vendet kandidate. Kjo duhet të përfshijë mekanizma rigoroz të llogaridhënies për praktikat e mbikëqyrjes shtetërore në përputhje me Aktin Evropian të Lirisë së Medias (EMFA) si dhe një ndalim në mbarë BE-në për prodhimin, eksportin, shitjen, importin, blerjen, transferimin, servisimin dhe përdorimin e spyware, e cila në mënyrë disproporcionale ndërhyn në ato të drejta.
Asnjë “burg dixhital” nuk duhet të krijohet dhe të lejohet të funksionojë lirisht si një mjet për të shtypur dhe heshtur gazetarët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile për punën e tyre me interes publik.
Nënshkruar nga
Reagimi i Shpejtë për Lirinë e Medias
Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ)
Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF)
Free Press Unlimited (FPU)
Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI)
OBC Transeuropa (OBCT)
ARTICLE 19 Europe
Rrjeti SafeJournalists
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë
Asociacioni i Gazetarëve të Bosnje e Hercegovinës
Asociacioni i Gazetarëve Kroatë
Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur të Serbisë
Sindikata e Mediave të Malit të Zi