Rrjeti SafeJournalists dënon ashpër rastet e vjedhjes së pajisjeve të gazetarëve Zana Karic – Gauk dhe Eldin Karic në Bosnje dhe Hercegovinë dhe kërcënimet ndaj gazetarëve të SYRI TV që raportonin nga një tubim politik në Shqipëri.
Teksa po festonin 14 vjetorin e portalit Zurnal të shtunën, më 15 korrik, një person i panjohur hyri në banesën e gazetares së portalit Zana Karic-Gauk dhe redaktorit Eldin Karic dhe u vodhi pajisjet e punës, pra dy kompjuterët.
Asociacioni i Gazetarëve të BH (BHJA) e vlerëson këtë incident si një përpjekje për të frikësuar gazetarët dhe redaktorët e portalit Zurnal, në mënyrë që ata të heqin dorë nga gazetaria investigative dhe të publikojnë histori për rastet e krimit dhe korrupsionit, aktorët e të cilëve janë zyrtarët më të mëdhenj politikë dhe shtetërorë në Bosnje dhe Hercegovinë.
BHJA i bëri thirrje publikisht Policisë së Kantonit të Sarajevës që të kryejë një hetim urgjent për këtë rast, si dhe të marrë masa ligjore për të sanksionuar autorët.
Rrjeti Safe Journalists ka reaguar për rastin e sulmeve ndaj gazetares Marsi Korreshi dhe ekipit të saj nga SYRI TV në 16 korrik, të cilët morën kërcënime serioze gjatë mbulimit të një takimi të kandidatit të Partisë Socialiste në qytetin e Rrogozhinës, në prag të zgjedhjeve lokale të planifikuara për 23 Korrik.
Ekipi raportoi se ishin kërcënuar dhe ngacmuar nga dy individë, të identifikuar si të afërm të kandidatit të Partisë Socialiste, Edison Memolla. Marsi Korreshi dhe ekipi ishin duke raportuar drejtpërdrejt nga Rrogozhina për organizimin e një dreke për mësues, mjekë dhe punonjës administrativ nga kandidati i Partisë Socialiste, një veprim i cili është i ndaluar gjatë fushatave zgjedhore. Gazetarja raportoi se individët këmbësorë dhe në automjete, rrethuan dhe kërcënuan ekipin, duke i kapur fizikisht dhe duke kërkuar të ndalonin mbulimin dhe të largoheshin nga vendi. Ata u kërcënuan madje edhe me largim të dhunshëm.
Policia e Rrogozhinës reagoi me shpejtësi pas incidentit, pasi mori një thirrje në ndihmë nga ekipi i SYRI TV. Sherbimet e Policisë i këshilluan ekipin të paraqesin një kallëzim penal dhe identifikuan dhe shoqëruan dy individët e përfshirë, të cilët janë banorë të Rrogozhinës dhe të afërm të kandidatit të Partisë Socialiste, për veprime procedurale të mëtejshme në Stacionin e Policisë së Rrogozhinës.
Drejtori i Rrjetit SafeJournalists ka thënë se “jam shumë i shqetësuar nga incidentet e fundit që përfshijnë intimidim e gazetarëve në Shqipëri dhe vjedhje të drejtuar ndaj gazetarëve në Bosnjë dhe Hercegovinë. Kjo nuk është vetëm një sulm ndaj gazetarëve, por një sulm ndaj demokracisë dhe e drejtës për të folur lirisht. Le të jem i qartë: ‘Ne nuk mund të lejojmë frikën dhe intimidimin të rrëzojnë ndjekjen tonë të së vërtetës. Ne qëndrojmë të fortë kundër këtyre sulmeve dhe do të vazhdojmë të luftojmë për një botë ku gazetarët mund të punojnë pa frikën e hakmarrjes.” – tha Dragan Sekulovski, drejtori i Rrjetit SafeJournalists.
Ndërkohë, Blerjana Bino, hulumtuese e Rrjetit Safe Journalists në Shqipëri u shpreh: “Është thelbësore që Partia Socialiste dhe të gjithë aktorët e tjerë politikë të përfshirë në zgjedhjet e ardhshme lokale të pjesëshme respektojnë punën e gazetarëve, të përmbahen nga intimidimi apo kërcënimet ndaj tyre, dhe të mbajnë lart parimet e lirisë së fjalës dhe lirisë së medias”
Rrjeti SafeJournalists, i cili përfaqëson më shumë se 8.200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor, dënon fuqimisht çdo lloj intimidimi të gazetarëve gjatë një transmetimi live. Rrjeti është i shqetësuar për këtë lloj klime të krijuar ndaj gazetarëve dhe u bën thirrje institucioneve për të reaguar ndaj këtyre rasteve dhe të tregojnë se mbrojnë të drejtat e gazetarëve, të punonjësve të medias, dhe respektojnë demokracinë dhe lirinë e fjalës.
Rrjeti SafeJournalists do të informojë palët e interesuara kombëtare dhe ndërkombëtare rreth këtyre rasteve.
Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.
Shkup – Beograd – Podgoricë – Prishtinë – Sarajevë – Zagreb – Tiranë, 17.07.2023
Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Asociacioni i Gazetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës
Asociacioni i Gazetarëve të Kroacisë
Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur të Serbisë
Sindikata e Medias të Malit të Zi