Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë të hënën pezulloi licencën operative të televizionit kombëtar privat Klan Kosova me një vendim të pa precedent, pa pasur një bazë ligjore dhe pa njoftim paraprak.
Ministria, pra Agjencia Kosovare për Regjistrim të Bizneseve, mori vendim për “pezullimin e certifikatës së biznesit të kompanisë ‘KLAN KOSOVA’ ShPK” pronare e kanalit televiziv Klan Kosova. Baza ligjore në të cilën u mor vendimi nuk është e qartë dhe mund të rrezikojë funksionimin e këtij burimi mediatik. Ajo gjithashtu mund të çojë në tërheqjen e licencës së medias për kanalin televiziv Klan Kosova.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e konsideron veprimin e Qeverisë, Kryeministrit Albin Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje si të pa precedent në historinë e re të Kosovës dhe një përpjekje direkte për të diktuar dhe kontrolluar përmbajtjen e Klan Kosova. AGK beson se një vendim i tillë u mor me qëllimin për të dërguar një mesazh edhe te mediat e tjera, dhe se liria e mediave dhe shprehjes nuk ka qenë kurrëherë më e kërcënuar se sa tani.
“Jemi të tronditur nga ky vendim, i pari në llojin e vet në vend që nga përfundimi i luftës. Kjo është një përpjekje e qartë e kësaj qeverie për të ushtruar ndikimin e saj mbi mediat private. Është një akt politik, i mirëplanifikuar në një mjedis gjithnjë e më të vështirë të medias në Kosovë. Jemi të shqetësuar për punën e gazetarëve tanë, operatorëve të kamerave dhe punonjësve të tjerë të kanalit, në këtë kohë të pasigurta.” – tha Xhemajl Rexha, kryetar i bordit të AGK-së.
Rrjeti SafeJournalists, që përfaqëson më shumë se 8,200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor, i bashkohet anëtarit të saj, AGK-së, për të kërkuar nga Komisioni i Pavarur i Mediave të mos tërheqë licencën e medias dhe të lejojë që procedurat administrative të zhvillohen pa presion.
Rrjeti SafeJournalists do të informojë palët përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare për këtë rast.
Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.
Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 16.06.2023
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata e Gazetarëve të BH
Shoqata e Gazetarëve Kroatë
Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë
Sindikata e Mediave të Malit të Zi