SafeJournalists: Milorad Dodik duhet të ndalojë së targetuari gazetarët dhe televizionin N1

SafeJournalists: Milorad Dodik duhet të ndalojë së targetuari gazetarët dhe televizionin N1
photo: canva

Presidenti i Republikës Serbe, Milorad Dodik, sulmoi verbalisht gazetaren e televizionit N1, Snezhana Mitrovic, në një konferencë për shtyp të enjten, dhe po atë ditë më vonë, ai e telefonoi gazetaren në telefon, duke e ofenduar dhe sharë atë.

Pasi Snezhana Mitrovic e pyeti Milorad Dodikun se pse janë afër tij persona nga “mjedisi kriminal” të cilët u arrestuan para disa ditësh për shkak të përfshirjes së tyre në trafikun e drogës në operacionin policor “Code”, Dodik akuzoi edhe një herë televizionin N1 si “pjesë” të politikës që shkatërron Republikën Serbe”, se ata “gënjejnë dhe mashtrojnë” dhe se kanë një “narrativë anti-serbe”. Edhe pse përsëriti se akuzat e tij nuk i referoheshin drejtpërdrejt gazetares së N1, Snezhana Mitrovic, Dodik ia hoqi mikrofonin nga duart gazetares në mënyrë krejtësisht të papranueshme, duke komentuar se po e bënte që “gazetarja e N1 të mos ndihej keq”. Dodik pyeti edhe ekipin e televizionit N1: “Mendoni se nuk kemi një shërbim që të ndjekë atë që po bëni?”.

Pas konferencës, Milorad Dodik e ka thirrur në telefon gazetaren Snezhana Mitrovic, i ka bërtitur, e sharë siç raporton ky televizion. Siç thotë vetë Mitrovic, ajo mendoi se Dodik dëshironte të kërkonte falje për ngjarjen e mëherëshme, mirëpo jo, në telefonatë pasuan sharje dhe bërtima për shkak të tekstit të publikuar në uebsajtin e N1.

“Gazetarët e BH do të marrin të gjitha masat ligjore dhe institucionale për të mbrojtur kolegen Snezhana Mitrovic, e cila tha se mund të bëjë kallëzim penal për ngacmim në vendin e punës, si dhe fyerje dhe rrezikim të sigurisë përmes sulmeve verbale të papërshtatshme gjatë konferencës për shtyp. Gjithashtu, do të kërkojmë hetim nga policia e Republikës Serbe, si dhe agjencitë e sigurimit shtetëror pas deklaratës së Milorad Dodik se ka shërbime që monitorojnë se çfarë po bëjnë gazetarët e N1. Është një deklaratë shumë e rrezikshme, e cila duhet të hetohet në detaje dhe të përcaktohet nëse ka ndërhyrje të paligjshme jo vetëm nga Dodik, por edhe nga policia dhe strukturat e sigurisë në punën e TV N1 dhe punonjësve të tij”, thotë sekretarja e përgjithshëm e gazetarëve të BH, Borka Rudic. Ajo vë në dukje se për më shumë se 15 vjet, dhuna verbale dhe politike e Milorad Dodik ndaj mediave dhe gazetarëve, veçanërisht gazetareve në Bosnje dhe Hercegovinë, ka vazhduar me intensitet të pazbutur dhe asnjë rast i vetëm nuk është hetuar apo ndjekur penalisht. “Gazetarët e BH-së, në marrëveshje me gazetaren e dëmtuar Mitrovic, do të shqyrtojnë të gjitha opsionet ligjore për mbrojtjen e saj dhe sanksionimin adekuat të veprimeve të dhunshme të presidentit të Republikës Serbe”, përfundon Rudic.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në BH reagoi ndaj sjelljes së Dodik, dhe Ambasada e ShBA-së në BH, gjithashtu dënoi sulmin verbal të presidentit të Republikës Serbe dhe tha se ishte “një shembull tjetër i fushatës së tij për të heshtur dhe frikësuar mediat në Bosnje dhe Hercegovinë.”

Rrjeti SafeJournalists, i cili përfaqëson më shumë se 8 mijë e 200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor, ka reaguar vazhdimisht për mënyrën se si Milorad Dodik komunikon me gazetarët. Edhe këtë herë, Rrjeti dënon sjelljen e Dodik ndaj gazetares, u bën thirrje të gjithë bartësve të posteve publike që të përmbahen nga targetimi i gazetarëve dhe mediave, si dhe i bën thirrje Dodik që t’i kërkojë falje publike gazetares. Gjithashtu, Rrjeti i ofron mbështetje Asociacionit të Gazetarëve të BH  – anëtare e rrjetit, në dënimin e kësaj sjelljeje dhe në synimet e tij për t’iu drejtuar institucioneve në lidhje me pretendimin e Dodik për “monitorimin” e punës së N1 dhe gazetarëve të tij.

Rrjeti SafeJournalists do të informojë palët përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare për këtë rast.

Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.

Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 20.11.2023

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë

Asociacioni i Gazetarëve të BH

Asociacioni i Gazetarëve Kroatë

Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur të Serbisë

Sindikata e Mediave të Malit të Zi