Më 22 dhjetor 2024, kryeministri shqiptar, Edi Rama, njoftoi për ndalimin për një vit të TikTok-ut, që do të hyjë në fuqi në janar 2025, pas therjes fatale me thikë të një djali 14-vjeçar në Tiranë.
Incidenti, që raportohet se ndodhi si pasojë e një konfrontimi mes të rinjve të përfshirë në mediat sociale (gjoja në TikTok dhe Snapchat), intensifikoi shqetësimet për ndikimin e platformave si TikTok në sjelljen e të rinjve.
Rama e kritikoi TikTok-un si “rrugaçin e lagjes”, duke shprehur shqetësime për përmbajtjen dhe ndikimin e kësaj platforme tek fëmijët. Ai theksoi nevojën për programe edukative për të udhëzuar nxënësit dhe për të ndihmuar prindërit në monitorimin e aktiviteteve të fëmijëve të tyre në internet.
Nëpërmjet një reagimi, nga TikTok-u deklaruan se po kërkohen sqarime urgjente nga qeveria shqiptare lidhur me ndalimin e propozuar dhe thanë se se nuk kishin gjetur asnjë provë që lidhte individët e përfshirë në incident me llogaritë e TikTok-ut.
Rrjeti SafeJournalists po ndjek nga afër këtë zhvillim dhe thekson rëndësinë e trajtimit të sjelljeve të dëmshme në internet në mënyra që mbështesin parimet demokratike, duke përfshirë të drejtën për lirinë e shprehjes. Platformat e mediave sociale janë bërë pjesë përbërëse e diskursit publik modern dhe çdo kufizim duhet të konsiderohet me kujdes, për të siguruar që ato të mos cenojnë të drejtat themelore ose të krijojnë një precedent për censurë arbitrare.
Në vend që të vendoset një ndalim të përgjithshëm, ne argumentojmë se Shqipëria duhet të adoptojë një qasje më transparente, proporcionale dhe konsultative për rregullimin e platformave dixhitale. Kjo përfshin përafrimin me standardet ndërkombëtare si Akti për Shërbimet Dixhitale (Digital Services Act – DSA) i Bashkimit Evropian, i cili ofron një kornizë për trajtimin e përmbajtjeve të dëmshme duke mbrojtur të drejtat themelore, duke përfshirë lirinë e shprehjes. Ne besojmë se kjo është qasja e duhur për të gjithë Ballkanin Perëndimor për të përshtatur çdo përpjekje për të rregulluar platformat dixhitale brenda DSA dhe standardeve të Këshillit të Evropës. Angazhimi me të gjithë aktorët përkatës, si shoqëria civile, akademia, sektori privat, ekspertët dhe operatorët e platformave, është thelbësore për të siguruar që masat të jenë efektive dhe respektuese të të drejtave.
Liria e shprehjes është një gurthemel i demokracisë dhe duhet të mbetet në krye të çdo politike që adreson përmbajtjen në internet. Ne inkurajojmë qeverinë shqiptare që ta rishqyrtojë qasjen aktuale dhe të fokusohet në zgjidhjet rregullatore që balancojnë sigurinë me mbrojtjen e lirive themelore. Një proces i hapur dhe gjithëpërfshirës do të ndihmojë në mbrojtjen e proceseve demokratike dhe lirisë së shprehjes, duke adresuar shqetësimet legjitime të ngritura nga kjo ngjarje tragjike.
Rrjeti i SafeJournalists
Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 25.12.2024
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë
Asociacioni i Gazetarëve të BH
Asociacioni i Gazetarëve Kroatë
Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur të Serbisë
Sindikata e Mediave të Malit të Zi